“Për ta hequr konfuzionin”, Qeveria e shpërndan edhe një herë fjalimin e Kurtit në Tetovë

16:09 | 15 Gusht 2023
“per-ta-hequr-konfuzionin”,-qeveria-e-shperndan-edhe-nje-here-fjalimin-e-kurtit-ne-tetove

Vizita jozyrtare e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut solli kritika të ashpra nga krerët e këtij shteti për shkak të një flamuri “Autochthonous” që u shfaq në tubimin e organizuar për ardhjen e tij. Kritika Kurti mori edhe nën akuzat se atje ka shkuar për t’u përfshirë në politikat e partive opozitare shqiptare. Derisa një deklaratë e tij ku i bënte thirrje Maqedonisë së Veriut për largim nga Serbia e për afrim kah Kosova, Shqipëria e Bullgaria çoi në reagime edhe në Serbi.

Për këto, zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu “për ta hequr konfuzionin” ka shpërndarë edhe njëherë fjalimin e kryeministrit Kurti që e mbajti në këtë tubim në Tetovë.

“Shumë reagime e komente pati për qëndrimin e Kryeministrit Kurti të premten në Shkup e Tetovë. Për të hequr çfarëdo konfuzioni mbi qëndrimin e Kryeministrit Kurti mjafton t’i rikthehemi këtyre dy paragrafëve nga fjalimi i tij në Tetovë”, ka shkruar Kryeziu.

“Aleanca veri atlantike NATO-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializimi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian. Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut, do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë, ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut. Sot, kam ardhur këtu mes jush si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me ju shqiptarët e këtyre trevave të Maqedonisë së Veriut, fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilën kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore”, ishte pjesa e deklaratës së Kurtit që e vu në pah Kryeziu, ndërsa ka publikuar edhe linkun e fjalimit të plotë të Kurtit.

Komento: