Për të vaksinuarit po kërkohet të ketë lehtësim të masave

18:19 | 08 Shtator 2021

Po kërkohet që për të vaksinuarit të ketë më shumë lehtësira.

Me kalimin e stinës së verës dhe ndryshimit të motit, gastronomët dhe bizneset që deri më tani kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në ambiente të hapura, kanë nisur të kërkojnë nga institucionet lirimin e masave në mënyrë që të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre me orar më të gjatë dhe gjithashtu edhe në ambiente të mbyllura.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për lajmi.net se AKK-ja do të propozojë më shumë benefite për qytetarët e vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19.

“Ne po mendojmë se qytetarët të cilët janë të vaksinuar të kenë më shumë liri, si për lëvizje por edhe për shfrytëzimin e hapësirave të mbyllura në kafiteri apo të ngjashme, pasi që tash ftohet koha dhe normalisht aktivitetet e tilla nuk mund të zhvillohen jashtë në mot të ftohtë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se AKK-ja nuk ka bërë ende ndonjë propozim zyrtar, por mendon se kjo do të bëhet pas takimit me kryetarët e komunave duke shtuar se nuk është kërkuar heqje e orës policore.

“Do të vendosim së shpejti, pasi që brenda disa ditëve do të bëjmë edhe një takim me kryetarët e komunave, në mënyrë që të shohim edhe qëndrimin dhe opinionin e tyre rreth kësaj çështje. Ne mendojmë se lirimi i disa masave për qytetarët e vaksinuar, do të shtynte edhe të tjerët të vaksinoheshin dhe do të ndikonte për mirë”, ka thënë Ibrahimi.

Kujtojmë, se me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reja, në vendin tonë është rikthyer ora policore nga 22:00 deri në 05:00, si dhe është kufizuar orari i punës së bizneseve deri në ora 21:30, përderisa gastronomët janë të detyruar të zhvillojnë aktivitetin e tyre vetëm në ambiente të hapura.

Komento: