Barcelona i ka vendosur Neymarit tri kushte për t’u kthyer në klub
Ylli brazilian dëshiron të kthehet në Barcelonë, por klubi katalonas ia ka parashtruar atij tri kushte që duhet t’i plotësojë para se të kthehet në Spanjë, pasi e kishte braktisur klubin në vitin 2017.
Neymari mbetet i lidhur me një transferim në Barcelonë, pasi që Paris Saint-Germaini raportohet se është i lodhur nga sjellja e brazilianit, ndërsa Lionel Messi dhe lojtarët e tjerë të “Blaugranëve” e kanë kërkuar vazhdimisht kthimin e Neymarit në klub, transmeton Gazeta Express.
“Dua të kthehem në shtëpi, nga ku nuk duhej të isha larguar kurrë”, u raportua se kishte thënë Neymari para disa ditëve, pasi që edhe 27-vjeçari e do me ngulm kthimin e tij në Barcelonë.
Barcelona e sheh këtë transferim si të mundshëm dhe Neymarin si lojtar i cili mund t’ia fitojë atyre titullin e Ligës së Kampionëve. Megjithatë, ata i kanë parashtruar disa kritere për Neymarin para se ai të mundë të kthehet.
Dy nga këto kushte kanë natyrë financiare, ndërsa i treti është se klubi shpreson se ai do t’i përmirësojë gabimet që i bëri kur u largua nga klubi në vitin 2017.
Ata dëshirojnë që paga e tij të ulet nga 30 milionë eurot që ai i fiton brenda vitit në PSG. Kushti i dytë është që Neymari t’i harrojë 26 milionë eurot që thotë se Barcelona ia ka borxh, pasi që ata nuk e paguan atë për besnikëri në vitin kur u largua. Braziliani i paditi në gjyq drejtuesit e klubit, por Barcelona kërkon që ai t’i tërheqë prapa akuzat.
Kushti i tretë është më shumë emocional. Barcelona kërkon që Neymari të deklarojë publikisht se ai dëshiron të kthehet në klub dhe se kishte bërë gabim që ishte larguar para dy vjetëve.
Sipas A Tarde, Neymari është i gatshëm t’i përmbushë këto tri kërkesa për t’u kthyer në “shtëpi”.