Përçahet koalicioni PANA, shkak taksa 100 për qind

20:52 | 02 April 2019

Shtete e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një pezullim i taksës në mënyrë që të vazhdoj dialogu

Janë bërë më shumë se 4 muaj që nga vendosja e taksës 100 për qind për mallrat serbe nga Qeveria e Kosovës.

Ky vendim ka ngjallur reagime të mëdha në Bashkimin Evropian dhe tek shtetet aleate të Kosovës që janë pro dialogut dhe një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi, shkruan lajmi.net.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kanë kërkuar vazhdimisht që nga vendosja e taksës që të largohet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po qëndron i palëkundur pas qëndrimit të tij se taksa 100 për qind ndaj Serbisë nuk do të largohet.

Ndërkohë, qëndrime më të buta karshi taksës, kemi dëgjuar tek partnerët e tjerë të koalicionit që e kanë konsideruar mundësinë e pezullimit të kësaj takse për të testuar reflektimin e Serbisë.

Ishte propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës një pezullim i taksës në mënyrë që të vazhdoj dialogu, por kjo ende nuk po ndodh.

Lajmi.net ka kontaktuar me 3 partitë e koalicionit qeverisës, Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Nismën Socialdemokrate.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti në një prononcim për lajmi.net është shprehur se PDK ka ofruar një propozim partnerëve të koalicionit dhe pret për një përgjigje të tyre.

“Partia Demokratike e ka ofruar një propozim partnerëve të koalicionit, duke marrë në konsiderate gjithë peshën e faktorit ndërkombëtar por edhe zhvillimet e brendshme që kanë ndodhur karshi kësaj çështje ku duhet t’i përgjigjemi edhe faktorit ndërkombëtar në lidhje me dialogun dhe jemi duke pritur për një përgjigje prej pjesës tjetër të faktorit të brendshëm brenda koalicionit”, tha Hoti për lajmi.net.

E në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli për lajmi.net ka thënë se duhet t’i mendojmë interesat tona afatgjatë dhe në këto interesa janë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtarë.

“Ne nuk kemi marrë qëndrim zyrtar por unë mund të flas se çka mendoj se është normale të ndodh. Ne kemi biseduar edhe me të tjerët se taksa e ka arritur efektin e vet dhe ne duhet gjithsesi t’i shikojmë interesat tona afatgjate, dhe në këto interesa janë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtar”, tha Makolli për lajmi.net.

Makolli ka shtuar se duke e ditur se SHBA-të dhe aleatët na kanë ndihmuar edhe në çështjen e pavarësisë ne duhet t’i dëgjojmë këshillat e tyre, pasi edhe efekti i taksës është arritur.

“Duke e ditur që edhe pavarësinë tonë na kanë ndihmuar SHBA-ja me aleatët ne duhet t’i respektojmë dhe mendoj që edhe kur është vendosur taksa do duhej të kishim miratimin e tyre. Por tani që është arritur efekti, mendoj se duhet t’i dëgjojmë miqtë tanë. Për mendimin tim, fjala e miqve tanë duhet të jetë me rëndësi. Ne jemi popull liridashës dhe demokratë dhe kemi shikuar t’i arrijmë qëllimet tona në mënyrë demokratike”, tha Makolli për lajmi.net.

Sipas Makollit, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i shtojë masat e presionit ndaj Serbisë, për arsye se Serbia nuk i ka respektuar rregullat e dialogut dhe ka udhëhequr politikë të ashpër kundër Kosovës.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi është shprehur se Nisma vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim për taksën.

“Që nga fillimi dhe deri më sot Nisma ka pasur dhe vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim. Për asnjë moment nuk e ka ndryshuar. Taksa është vënë për disa arsye, ajo duhet të hiqet vetëm atëherë kur të pushojnë arsyet që kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës në vënien e taksës”, tha Sherifi.

Sherifi ka thënë se suspendimi i taksës mund të diskutohet vetëm kur Serbia të ndalë luftën kundër Kosovës.

“Arsyet janë të shumta, mirëpo ndër kryesoret bën pjesë agresioni diplomatik i Serbisë mbi Kosovën. Kur Serbia të ndalë këtë luftë kundër Kosovës mund të diskutohet mundësia e suspendimit të taksës. Prandaj Nisma vazhdon të thotë se taksa mund të suspendohet vetëm kur të pushojnë arsyet e vënies së saj”, përfundoi Sherifi.

Dialogu Kosovë – Serbi është bllokuar qysh nga vënia e taksës 100 për qind për produktet serbe, vendim ky që erdhi pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL si shkak i fushatës së ashpër të Serbisë.

Serbia vazhdon me politikë destruktive ndaj Kosovës në rrafshin ndërkombëtar duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme.

Komento: