Përçahet Vetëvendosje në Kuvend, deputetët Rrahmani e Agusholli dalin e ulen kah AAK-ja

17:21 | 29 Shtator 2022

Dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe Gramos Agusholli në vazhdimin e seancës së sotme janë zhvendosur nga ulëset e tyre të zakonshme në mesin e Kuvendit për të zënë vend pas deputetëve të AAK-së.

Nuk dihet se cila është arsyeja e kësaj lëvizje në Kuvend, megjithatë deputeti Eman Rrahmani ka kohë që ka mospajtime me vijën e Lëvizjes Vetëvendosje për çështje të ndryshme.

Ditë më parë ai ka folur edhe publikisht për mospajtimet brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithë kriza në raportet mes Rrahmanit dhe udhëheqjes së VV-së ka nisur si rezultat i projektligjit për kodin civil, më specifikisht nenet për martesat e gjinisë së njëjtë, shkruan express.

Përveç kësaj çështje, deputeti Rrahmani ka treguar se i përkrah kërkesat e SBASHK-ut dhe i sheh ato plotësisht të arsyeshme. Ai sjelljen e Dimal Bashës ndaj Rrahman Jashrajt e kishte konsideruar si jo të duhur.

Deputeti Eman Rrahmani gjithashtu gjatë raportimit të Nagavcit e Muratit në Komisionin për Arsim është parë në një shkëbim të tensionuar me deputetin e VV-së, Ardian Gola, i cili edhe drejton Komisionin. Pas debatit me Golën, Rrahmani kishte lëshuar mbledhjen.

Ndërkohë qëndrim të njëjtë me Eman Rrhmanin për projektkodin civil ka edhe deputeti Gramos Agusholli, i cili ka votuar kundër në Kuvendin e Kosovës.

Komento: