Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

15:00 | 17 Qershor 2026
perfaqesuesi-i-berzh-it:-qeveria-duhet-te-dergoje-sinjal-te-qarte-per-investimet-ne-energjine-e-riperteritshme

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka dhënë miliona euro për tranzicionin e gjelbër në Kosovë.

Kështu, ka thënë Sergio Maslichenko, drejtor i asociuar dhe udhëheqës për Kosovë nga BERZH.

“Si BERZH, siç e dini, ne jemi institucioni financiar ndërkombëtar më aktiv dhe më i madh në vend. Ne financojmë rreth 120 milionë euro investime në vit, ndërsa këtë vit kjo shumë mund të arrijë deri në 200 milionë euro. Rreth 70% e këtyre investimeve janë të gjelbra. Investimet e gjelbra përfshijnë sektorë të ndryshëm. Natyrisht, energjia dhe energjia e ripërtëritshme janë një aspekt. Po ashtu, efiçienca e energjisë, për të cilën kemi dëgjuar për projektin tonë me Fondin e Efiçiencës së Energjisë së Kosovës për ndërtesat. Ka shumë investime në vazhdimësi me sektorin privat. Gjithashtu, me qeverinë punojmë shumë për të mbështetur tranzicionin e gjelbër përmes projekteve konkrete. Ne jemi një bankë e bazuar në projekte dhe financojmë projekte si impiantet për trajtimin e ujërave të zeza, të cilat janë projekte mjedisore dhe të gjelbra, si dhe transportin publik, i cili është shumë i rëndësishëm për reduktimin e konsumit të energjisë dhe elektrifikimin. Po ashtu, hekurudhat janë projekte shumë të rëndësishme, sepse transporti hekurudhor është një mënyrë e qëndrueshme e transportit. Aktualisht transporti rrugor me kamionë është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë. Duke parë panoramën e përgjithshme, receta për tranzicionin e gjelbër të Kosovës është elektrifikimi i ekonomisë dhe prodhimi i më shumë energjisë së ripërtëritshme.”, tha ai.

Maslichenko tha se nuk ka parë investime në Kosovë dhe se Qeveria duhet të dërgojë sinjal tek bizneset vendore dhe të huaja për mbështetje rreth energjisë së ripërtritshme.

“Ne nuk po shohim shumë investime. Nga ana jonë përpiqemi shumë dhe punojmë me shumë zhvillues. Kur erdha këtu tre vjet e gjysmë më parë, kishte shumë zhvillues që prisnin për të zhvilluar projekte bazuar në çmimin referencë, i cili ishte në fuqi atëherë. Fatkeqësisht, ky mekanizëm u anulua dhe zhvilluesit u tërhoqën. U organizua ankandi, i cili mori kohë dhe pati disa shtyrje të afateve. Pamë interes shumë të madh, por në fund nuk pamë shumë rezultate konkrete. Ndërkohë, gjatë këtyre tre viteve, kemi parë zhvillues të rinj, pasi tregu vazhdon të ecë përpara. Kur nuk ka ankande apo skema mbështetëse, bizneset zhvillojnë projekte të bazuara në tregun e lirë. Ne shohim disa projekte të tilla, rreth pesë projekte solare dhe një projekt me erë, dhe mendoj se kjo është rruga përpara. Pengesa kryesore ka qenë stabiliteti i kornizës së politikave. Qeveria duhet të dërgojë një sinjal të qartë për bizneset vendore dhe ndërkombëtare se kjo është rruga për mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme. Kërkohet gjithashtu konsistencë, punë e palodhur dhe shpejtësi, sepse pas tre vjetësh e gjysmë pa projekte konkrete, mungon sinjali për komunitetin ndërkombëtar. Ankandet janë të nevojshme për të treguar se Kosova ka potencial për energji të ripërtëritshme. Kur projekti i parë realizohet me sukses, të tjerët pasojnë”, tha ai.

Komento: