Përfaqësuesi i Qeverisë: Etem Arifi humbi mandatin në legjislaturën e kaluar

11:16 | 02 Dhjetor 2020

Qeveria gjen vegëzën ligjore: Etem Arifi humbi mandatin në legjislaturën e kaluar.

Zyra e Kryeministrit Hoti e përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha i është kundërpërgjigjur argumenteve të Vetëvendosjes në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me votën për qeverinë të deputetit Etem Arifi.

Berisha tha se deputeti Arifi në momentin e votimit të qeverisë kishte mandat ligjor, pasi që sipas tij për të nuk ka pasur dënim plotësues.

“Nga ajo që mund të themi është se çështja e zotit Arifi se a kishte mandat ligjor, tanimë nuk është objekt, sepse pranohet se po. Ndaj tij nuk kishte dënim plotësues. Unë krijova përshtypjen që këta sot sfidojnë vendimin e gjykatës, pra vendimin plotësues që ia ndalon të drejtën për të zgjedhur. E drejta për t’u zgjedhur nuk është cënuar nga një vendim i Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Parashtruesi i kërkesës thotë se kandidimi i Etem Arifit ishte në kundërshtueshmëri dhe papërashtatshmëri Kushtetuese. Kjo për mua është kërkesë e re”, tha Berisha.

Madje, argumenti i Berishës është se pasojat juridike, pra humbja e mandatit të deputetit Arifi, është ekzekutuar apo konsumuar në legjislaturën e gjashtë dhe jo në këtë legjislaturë.

“E gjithë kjo periudhë kohore gjatë së cilës është zhvilluar procedurë penale është në legjislaturën e gjashtë. Për ta kuptu se kur fillojnë pasojat juridike, ato fillohen të zbatohen në plotfuqishmërinë e vendimit. Pra dita është 28 marsi i vitit 2019. Tre muaj pas kësaj, Supremja ka anuluar vendimin e formës së prerë. A kishte të drejtë ankese zoti Arifi që të bëj ankesë më 28 mars, absolutisht jo. Sërish aktgjykimi i formës së prerë ishte data 20 gusht 2019, kur zoti Arifi ka humb të drejtën e tij për ushtrimin e funksionit të deputetit. Zoti Arifi e ka humb mandatin e tij në legjislaturën e gjashtë, pra pasoja është ekzekutuar në legjislaturën e gjashtë. Asnjë gjykatë s’mund t’i shqiptojë zotit Arifi dënim pa ligj, pra s’mund të dënohet sa herë që kandidon. Norma kushtetuese është shkrirë në ditën kur aktgjykimi ka marrë vendim të formës së prerë”, ka thënë Berisha.

Gjatë kohës që Besnik Berisha fliste, ka pasur tendenca nga përfaqësuesi i Vetëvendosjes që të ndërhyjë, mirëpo kjo nuk është lejuar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Komento: