Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB: Mlladiqi u dënua, Serbia duhet t’i arrestojë edhe dy persona pa vonesë

12:30 | 09 June 2021

Në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e akuzoi Serbinë për mosbashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, e cila dje ia konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm kriminelit Ratko Mlladiq, transmeton Gazeta Express.

Ai e cilësoi historike ditën e djeshme, ndërsa u shpreh tejet i kënaqur me vendimin për dënimin e Mlladiqit.

“Sot është ditë historike. Mlladiq u dënua. Tridhjetë vjet më parë, ai dhe mbështetësit e tij filluan një fushatë të spastrimit etnik dhe ne kujtojmë veçanërisht ditën kur ata hynë në Srebrenicë dhe vranë njerëz. Ne jemi të kënaqur me punën e gjykatës që mblodhi prova. Verdikti i ardhshëm për Stanishiqin dhe Stamatoviqin”, tha ambasadori amerikan në Këshillin e Sigurimit.

Ai theksoi se Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj, duke i bërë thirrje institucioneve serbe që t’i arrestojnë Millan Stamatoviqin (bashkëpunëtor i Mlladiqit) dhe Jovica Stanishiqin (ish-shef i UDB-së serbe), të kërkuar për frikësimin e dëshmitarëve.

Reklamë

“Ne jemi shumë të zhgënjyer që Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj dhe nuk i ka arrestuar dy persona për frikësimin e dëshmitarëve. Serbia është anëtare e OKB-së dhe si vend me detyrime të rëndësishme ndërkombëtare, është e detyruar të bashkëpunojë me Gjykatën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë t’i arrestojë personat e kërkuar pa vonesë”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara dje e ka dënuar me burgim të përjetshëm kriminelin serb, Ratko Mlladiq. Kësisoj, është konfirmuar vendimi i shkallës së parë.

Gjykimi i gjeneralit të tmerrshëm serb filloi në maj të vitit 2012 dhe përfundoi më 15 dhjetor 2016. Ai u arrestua në Lazarevo në maj të vitit 2011, pasi u fsheh për 12 vjet dhe u ekstradua në Hagë. Më 25 korrik 1995, Prokuroria e Hagës ngriti aktakuzën e parë kundër Ratko Mlladiqit, në të cilën ai ishte së bashku me kriminelin tjetër, Radovan Karagjiq.

Komento: