
Një incident ka ndodhur mesditën e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një kamion është përfshirë nga flakët në relacionin Suharekë–Duhel.
Zjarri ka shkaktuar tym dhe ka krijuar kolona të gjata në këtë aks rrugor.
Rastin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili shtoi se nuk ka të lënduar.
“Me datën 08.04.2026, rreth orës 12:25, Policia ka pranuar informatën se një kamion është përfshirë nga zjarri në relacionin Suharekë–Duhel (në autostradë). Radiobaza ka njoftuar Stacionin Policor në Suharekë për të dërguar zjarrfikësit, si dhe një patrullë policore në vendin e ngjarjes. Për incidentin është informuar edhe njësiti patrullues i autostradës”, tha ai.
“Lidhur me rastin, një qytetare ka kërkuar edhe ndihmën e Ekipit të Urgjencës, pasi ngasësi i kamionit dhe një pasagjer, megjithëse nuk kanë pësuar lëndime, janë në gjendje të shqetësuar”, deklaroi ai teksa shtoi se Stacioni Policor është njoftuar që të orientojë Ekipin e Urgjencës drejt vendngjarjes./Insajderi