Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është përfshirë direkt në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu ka njoftuar vetë Kryeministri Kurti.
Pjesë e kësaj bisede, Kurti tha se ishin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe nevoja për intensifikimin e procesit të dialogut.
“Pata një bisedë shumë të mirë telefonike me Sekretarin Blinken. E informova në lidhje me progresin e vazhdueshëm në Kosovë. Ne folëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për të intensifikuar procesin e dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme të përqendruar në njohjen reciproke”, njoftoi Kurti përmes një postimi në Twitter.
Ndryshe, Blinken e ka telefonuar edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit ia ka bërë me dije se arritja e shpejtë e marrëveshjes me Kosovën është e domosdoshme, shkruan Reporteri .net.
Sipas mediumit serb rtv .rs, Blinken ka folur me Vuçiq edhe për raportet e Beogradit me Rusinë si dhe për energjinë.