Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Marek Gasior ka përfunduar dëshminë e tij, të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përkatësisht në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sa i takon ekipeve të mbrojtjes, ai është marrë në pyetje vetëm nga mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokatja Ann Rowan, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, gjatë dëshmisë së Gasior në Hagë u evidentua se për njërën prej viktimave, dëshmitari kishte dhënë përshkrimin se është goditur me armë zjarri në kokë dhe në gjoks.
“Nga përshkrimi rezulton se plagët e brinjve janë shkaktuar nga të shtëna me armë zjarri që janë në ndjekje të një trajektore tangjenciale me pjesën e sipërme të trupit dhe plagët në brinjë. Nga raporti rezulton se gjashtë brinjë janë lënduar në anën e majtë. Plagët gjenden 6 deri në 10 centimetra nga boshti kurrizor”, tha dëshmitari, duke shtuar se plagët janë në përputhje me armë zjarri.
Si rrjedhojë, ekspertit iu prezantua një fotografi e një viktime, por nuk dihet nëse ishte e njëjta. Megjithatë, ai pohoi se shenjat që shihen në trupin e tij mund të jenë shkaktuara nga djegia me cigare, përveç mënyrave tjera të lëndimeve.
“Këto lëndime, këto djegie të shkaktuara nga djegie e cigares mbi trup ndonjëherë mund të shkaktojnë edhe infeksione dhe në këto raste këto vraga mund të mos kenë formën e rregullt, por mund të jenë më të mëdha. Nga ajo që shohim këtu, vragat e identifikuara, këto janë identifikuar dhe mund të jenë si rezultat i lëndimeve të tilla”, tha ai.
Ndërsa, për një viktimë tjetër, Rowan pyeti dëshmitarin lidhur me gjendjen që e kishte gjetur e po ashtu se çka e shkaktoi vdekjen e tij.
Në raportin nga ekzaminimi i eshtrave të kësaj viktime, dëshmitari pohoi se e vetmja plagë që kishte mundur ta shkaktojë vdekjen tij ishte plaga në scapulë dhe plagët në asnjërin prej eshtrave tjerë nuk mund të ishin vdekjeprurëse.
Sipas avokates Rowan, në analizat e ADN-së që ka bërë njëri prej doktorëve, scapula ishte një eshtër që nuk ishte e identifikuar se e kujt ishte dhe se nuk ishte e identifikuar si e personit që i shkruhej emri në një raport.
Dëshmitari Gasior pohoi se e vetmja plagë që ka shkaktuar vdekjen në këtë koleksion eshtrash, është scapula.
“Kjo është përfundimi në raportin tim”, tha ai.
Seanca pritet të vazhdojë me dëshmitarin e radhës, por pas një pushim prej 20 minutash.