Përfundon gjithçka, kjo është e ardhmja e Coutinhos

17:03 | 18 April 2020

Coutinho pritet që së shpejti t’i ndajë rrugët me Barcelonën.

Barcelona është ende duke planifikuar ta shesë Philipe Coutinhon për ta rritur buxhetin gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që klubi katalonas synon t’i blejë Neymarin e Paris Saint-Germainit dhe Lautaro Martinezin e Interit.

Braziliani është për momentin i huazuar te lideri i Bundesligës, Bayern Munichun, deri në fund të sezonit 2019/20, mirëpo bavarezët nuk do ta shfrytëzojnë opsionin në kontratën e tyre për ta blerë 27-vjecarin për 80 milionë euro këtë verë, transmeton Gazeta Express.

Kjo bën që Coutinho të kthehet te klubi spanjoll sapo të përfundojë sezoni aktual, përkundër që e ardhmja e tij në Camp Nou s’është aspak e sigurt, edhe pse trajneri Quique Setien e lavdëroi atë në një intervistë të fundit.

Trajneri i Barcelonës insistoi se braziliani është një futbollist i mrekullueshëm dhe se ai mund të jetë pjesë e skuadrës së tij për sezonin e ardhshëm 2020/21.

Mirëpo, burimet e Goal.com raportojnë se drejtuesit e Barcelonës nuk kanë ndryshuar planet dhe mendimin për Coutinhon, përderisa do të tentojnë ta shesin mesfushorin sapo të hapet afati kalimtar te ndonjë klub i Premierligës, për të fituar sa më shumë financiarisht.

Kjo pasi që Barcelona dëshiron të sigurohet që të fitojë mjaft shumë para nga shitja e lojtarëve, në mënyrë që të mos bie ndesh me rregullat e ndershmërisë financiare të UEFA-s kur të tentojë për transferimin e Lautaro Martinezit nga Interit dhe Neymarit nga Paris Saint-Germaini.

Komento: