Ka përfunduar mbledhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm që u mbajt pa praninë e mediave, përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se kanë organizuar strukturat e partisë për zgjedhje, si dhe kanë diskutuar për atë se cka do të jetë plani qeverisës i LDK-së.
“Nën udhëheqjen e kryetarit të LDK-së, njëherësh edhe kryetar i Këshillit të Përgjithshëm, Isa Mustafa, sot u mbajt mbledhja konstituive e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili është organi më i lartë i partisë, në mes të dy Kuvendeve Zgjedhore.
Kjo mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm reflektoi unitetin e arritur në Kuvendin IX Zgjedhor të LDK-së, unitet që përçon frymën e fitores së madhe të LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se kanë diskutuar edhe për politikat themelore që do t’i ketë programi qeverisës i kësaj partie.
“Këshilli i Përgjithshëm diskutoi lidhur me organizmin e të gjitha strukturave të LDK-së, në të gjitha nivelet, për të rritur edhe më tej përkrahjen qytetare për LDK-në si partia më e madhe në vend.
Po ashtu, Këshilli i Përgjithshëm diskutoi edhe lidhur me politikat themelore dhe çështjet që do të përmbajë Programi qeverisës i LDK-së, i cili do të jetë edhe Program i Qeverisë së re të Kosovës”, bëhet e ditur në komunikatë.
Tutje, shkruhet se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së vlerësoi se koalicioni PAN e ka keq qeverisur vendin, ka dëmtuar raportet me partnerët strategjikë të vendit, i ka lënë të izoluar qytetarët e Kosovës.
“Përballë kësaj situate tepër të rëndë, LDK-ja do të ndërmarrë hapa për të garantuar pozicionin e saj si parti e parë dhe që Qeveria e re të punojë në interes të vendit, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të zhbllokojë procesin e integrimit euro-atlantik, si dhe të kthejë shpresën e qytetarëve të Kosovës”, përfundon komunikata.