Tashmë ka përfunduar ndeshja mes Feronikelit dhe Prishtinës.
Feronikeli ka marrë një pikë të madhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke barazuar 1:1 me Prishtinën në derbin e xhiros së 21-të në Superligën e Kosovës.
Skuadra e Mirel Josës, nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në përballjen me rivalin direkt për titull.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, tërhoqi numër të konsiderueshëm tifozësh.
Vendasit e nisën mirë takimin, dhe në minutën e 17’ shënuan për 1:0 me anë të Leotrim Bekteshit.
Bekteshi u gjet mirë në zonë për të shënuar me kokë, pas një asistimi të pranuar nga Armend Thaqi.
Në minutën e 57’, Prishtina mbeti me një lojtar më pak, kur Lorik Boshnjaku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Pak minuta pas largimit të Boshnjakut, saktësisht në minutën e 65’, Feronikeli barazoi në 1:1 nëpërmjet Mendurim Hotit.
Deri në fund të ndeshjes rezultati mbeti i pandryshuar, dhe Prishtina me Feronikelin ndanë pikët.
Me këtë barazim, Feronikeli numëron 49 pikë, pesë më shumë se Prishtina dhe Llapi, që kanë grumbulluar nga 44 pikë.