Kthimi i mbi 40 milionë eurove për rrymën në veri përfundon në apel.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e obligonte atë ta detyronte KEDS-in t’ua kthente mbi 40 milionë euro qytetarëve, pasi nga viti 2012 deri në vitin 2017 i kishte faturuar kundërligjshëm shpenzimet e energjisë për katër komunat në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të tjerë pagues të faturave.
Vendimi i Gjykatës Themelore ka ardhur pasi Avokati i Popullit, përmes një padie më 15 gusht 2017, kishte kërkuar nga Gjykata që të anulonte vendimin e ZRRE-së.
Por me vendimin, që është publikuar në tetor të këtij viti, nuk po pajtohet ZRRE-ja, të cilin e ka dërguar në Gjykatën e Apelit. Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj-Bajrami.
“Në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore, me lejoni t’ju informoj se ZRRE-ja, në përputhje me ligjet dhe procedurat e aplikuara, ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore, të cilit ju po i referoheni, në instancë më të lartë”, ka thënë Murtezaj-Bajrami për Zeri.info.
Po ashtu, edhe nga Gjykata e Apelit kanë thënë se e kanë pranuar lëndën në fjalë, ndërsa nuk kanë treguar se kur mund të dalë me një vendim.
Nysret Arifi, administrator i Gjykatës, ka thënë se tashmë është caktuar gjyqtari referues për këtë lëndë.
“Ju njoftoj se kjo lëndë ka ardhur në Gjykatën e Apelit më 27.10.2021, ka marrë numrin AA. Nr. 765/21, është caktuar te gjyqtari referues dhe pret të zgjidhet sipas radhës së arritjes në gjykatë”, ka thënë Arifi për “Zërin”.
Si mund të kthehen 40 milionë euro te qytetarët?
Në rast se vendimi i Gjykatës Themelore për kthimin e 40 milionë eurove bëhet i plotfuqishëm, kjo mund të paraqesë probleme, të cilat thuhet se ndikojnë në investime dhe çmime të energjisë elektrike.
Kështu parashikon hulumtuesi nga organizata INDEP, Liron Gjocaj, i cili tha se zbatimi i këtij vendimi mund të jetë i komplikuar.
“Duke mos e ditur epilogun përfundimtar të këtij vendimi, atëherë edhe zbatimi i tij është vështirë i parashikueshëm. Por është e njohur që zbatimi mund të jetë i komplikuar, pasi ajo sasi e energjisë tashmë është shpenzuar dhe rrjedhimisht edhe duhet paguar. Nëse jo nga ana e konsumatorëve, atëherë pagesa në një formë ose tjetër do të prekte buxhetin e shtetit të Kosovës”, thotë Gjocaj.
Ai parashikon se kthimi i 40 milionë eurove mund të prekë edhe buxhetin e Kosovës dhe kjo do të ndikonte edhe në uljen e investimeve.
“Nëse vendimi i instancave më të larta gjyqësore vendos për kthimin e 40 milionë eurove qytetarëve, zbatimi paraqet problematikë dhe prapavijë, e cila ndikon në zinxhirin e investimeve dhe çmimeve të energjisë elektrike. Nëse KEDS-i detyrohet të kthejë shumën e parave, atëherë ndikimi do të pasqyrohej te zvogëlimi i investimeve ose ky vakum do të mbulohej nga buxheti i shtetit”, shtoi ai.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit, të cilët e kishin dorëzuar padinë në vitin 2017 për të anuluar vendimin e ZRRE-së, thonë se kanë dorëzuar tashmë argumentet e tyre në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar ankesën e ZRRE-së.
“Lidhur me ankesën e parashtruar nga ZRRE-ja, Avokati i Popullit ka paraqitur përgjigje në padi në Gjykatë. Në përgjigje janë theksuar të gjitha argumentet që bëjnë që kjo ankesë nuk është e bazuar, me vetë faktin se gjykimi i shkallës së parë ka qenë i drejtë dhe i bazuar në gjendjen faktike që është vërtetuar nga kjo gjykatë”, ka thënë zëdhënësi i Institucionit të Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku, duke shtuar se presin vendim të drejtë për këtë rast nga Apeli.
Çka thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore?
Gjykata Themelore në Prishtinë në tetor e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për përfshirjen në fatura të qytetarëve shpenzimet e rrymës në komunat veriore të Kosovës, të cilët që nga paslufta nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë.
Kjo Gjykatë ka kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe ka detyruar KEDS-in që të bëjë kthimin e mbi 40 milionë eurove për t’ua kompensuar dëmin konsumatorëve, dëm i shkaktuar gjatë viteve 2012-2017.
“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 6.2.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë eurosh. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore.
Kujtojmë se më 6 maj të këtij viti, me 61 vota për, pa praninë e deputetëve opozitarë, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi lidhur me kërkesën e NP KOSTT për të siguruar 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës. Ndër rekomandimet ishte që Qeveria e Kosovës obligohej të gjente zgjidhje brenda afatit 6-mujor për të shtrirë sistemin e faturimit në komunat veriore, gjë që nuk është bërë akoma, ndërsa në fillim të nëntorit janë ndarë edhe 6.7 milionë euro të tjera për të njëjtin qëllim, duke e çuar koston fillestare nga 11 milionë në 17.7 milionë brenda vitit.