Kryeministria nuk i pagoi varret e heronjve, përfundon në përmbarim.
Fiks 32 mijë euro kanë kushtuar shërbimet për varret e dy heronjve të Kosovës, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, por që Kryeministria nuk i ka paguar, shkruan sot Koha Ditore.
Në nëntor të 2018-s u bë rivarrimi i tyre, në Varrezat e Dëshmorëve në kryeqytet, eshtrat e të cilëve preheshin në varrezat e Tiranës. Por në mars të 2019-s, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u dërgua tek një përmbarues privat në Pejë, për shkak se nuk pagoi vlerën e këtyre dy varreve, nga 16 mijë euro për secilin.
Kompania N.P.T “ArtCom” e ka dërguar Zyrën e Kryeministrit tek përmbaruesi Zija Bala, i emëruar për territorin e Gjykatës Themelore në Pejë, për përmbarimin e borxhit në shumë prej 32.000 eurosh.
Koha.net ka siguruar dokumentet ku vërtetohet se Zyra e Kryeministrit nuk i ka paguar këto shërbime dhe më 22 mars të këtij viti u dërgua tek përmbaruesi.