Punimet për projektin më të rëndësishëm infrastrukturor në qytetin e Lipjanit kanë përfunduar fazen e parë me sukses.
Ky projekt përfshinë ndërtimin e nënkalimit dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor ndërsa faza tjeter e punimeve do të vazhdojë në shtrirjen e sheshit të qytetit, krijimin e parkut qendror, duke transformuar qendrën e qytetit në funksion të mirëqenies së qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, deklaroi se ky është një prej projekteve më të mëdha dhe më të rëndësishme të realizuara ndonjëherë në komunë.
“Investimi prej mbi 6 milionë eurosh e ka ndryshuar pamjen e qytetit tonë dhe ka adresuar disa nga sfidat më të mëdha, si trafiku i dendur, mungesa e hapësirave për parkim dhe nevoja për një park qendror të gjelbër. Ky projekt e ka kthyer Lipjanin në një qendër urbane moderne dhe funksionale,” tha Ahmeti.
Projekti, i cili integroi katër komponentë në një tërësi të vetme, tashmë ka sjellë lehtësime të dukshme në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve. Parkingu nëntokësor me mbi 220 parkingje ka zgjidhur problemin e mungesës së hapësirave për parkim.
“Jam krenar që ky projekt, që përfundoi brenda afatit të paraparë, tashmë është në shërbim të qytetarëve dhe do të ketë ndikim afatgjatë në zhvillimin urban dhe cilësinë e jetës në Lipjan,” përfundoi Kryetari Ahmeti. /ORAinfo/