Përfundon protesta e opozitës në Shqipëri

15:27 | 16 Mars 2019

Pas disa orë protestash, ka përfunduar protesta e opozitës në Shqipëri.

Ka përfunduar protesta e opozitës në Shqipëri, që nisi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Protestuesit, që së fundmi u mblodhën para selisë së PD-së me kryetarin Lulzim Basha, kanë nisur të shpërndahen.

Para marshit protestues, Lulzim Basha ka mbajtur edhe një fjalim.

“Dita e dytë e zgjimit kombëtar, bashkimi më i madh që sheshi Dëshmorët e Kombit ka parë ndonjë herë. Sot më në panik se kurrë, kufoma politike e Edi Ramës, përshkallëzoi dhunën e paprovokuar të protestuesve, për t’i larguar nga protesta”, tha ai.

Basha, tutje tha se “përgjigjen e mori nga duart e gjata të krimit, do të japin përgjegjësi para ligjit, zotohem para jush dhe para Shqipërisë. Nuk ka rrugë tjetër për të kthyer demokracinë, përveç protestave popullore. Ishim shumë me 16 shkurt, jemi shumë më shumë sot më 16 mars”, tha ai.

“Dua t’i drejtoj një mesazh miqve perëndimor: No stability ëithout democracy – S’ka stabilitet pa demokraci”, tha ai.

Gjithashtu, tensionimi i situatës te Parlamenti, ku protestuesit e opozitës po përplasen me policinë në tentativë për të hyrë brenda godinës, ka sjellë edhe reagimin e presidentit Ilir Meta.

Kreu i Shtetit bën thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe evitimin e konfrontimeve.

“Presidenti i Republikës është duke ndjekur me shqetësim situatën. Ai bën thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë. Ai u kërkon të gjithëve të evitojnë konfrontimet dhe të qëndrojnë larg provokimeve”, thuhet nga Presidenca.

Policia përdori edhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.

Komento: