Përfundon seanca për Vezir Hazirajn, Prokuroria pret vendimin për paraburgim

18:57 | 16 Gusht 2026

Ka përfunduar seanca dëgjimore lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe kanosje.

Pas përfundimit të seancës, prokurorja Saide Gashi ka deklaruar se Prokuroria ka paraqitur para gjykatës të gjitha arsyet dhe bazat e kërkesës për paraburgim.

“Prokuroria sapo e përfundoi seancën dëgjimore të lidhur me caktimin e masës apo vendosjen lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin. Kemi dhënë shkaqet, arsyet për krejt bazat e kërkesës dhe tani presim vendimin e gjykatës, edhe pse mbrojtja nuk e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për masën e caktimit”, ka thënë Gashi.

Haziraj dyshohet se më 7 gusht, në fshatin Orroberdë të Istogut, pas një mosmarrëveshjeje, ka shtënë me një pushkë gjuetie të modifikuar në drejtim të Dardan Haxhijajt, duke e plagosur në kofshë.

Pas ngjarjes, ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka qëndruar në arrati deri më 15 gusht. Gjatë kësaj periudhe, dyshohet se ka publikuar edhe mesazhe kërcënuese ndaj zyrtarëve policorë.

Tani pritet vendimi i Gjykatës lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Komento: