Përfundon sezoni për yllin e Juventus

23:07 | 24 July 2020

Douglas Costa është detyruar ta përfundojë sezonin.

Juventusi po shkon drejt titullit të 9 kampion radhazi në Itali, por situata në kampin bardhezi nuk është aspak e mirë, pasi në 5 javët e fundit kanë grumbulluar vetëm 5 pikë dhe nuk po arrijnë të mbyllin llogaritë me kampionatin, pavarësisht “asisteve” që u kanë dhënë kundërshtarët.

Përveç shumë çështjeve që duhet të zgjidhë brenda skuadrës, trajneri Maurizio Sarri ka marrë një lajm të keq edhe nga infermieria ditën e sotme, pasi ka mësuar se nuk do të mund të mbështetet më te braziliani Douglas Costa.

Ky i fundit ka pësuar një tërheqje muskulore të gradës së dytë dhe ka mbyllur para kohe sezonin, ndërsa gjasat më të mëdha janë që të mos jetë në dispozicion të Sarrit as për ndeshjet e Ligës së Kampionëve, që do të luhen në muajin gusht.

Sipas komunikatës së mjekëve të Juventusit, gjendja e sulmuesit brazilian pritet të vlerësohet pas 15 ditësh dhe tani është e sigurt që do të mungojë në ndeshjen ndaj Lyonit më 6 gusht, ndërsa vetëm nëse bardhezinjtë do t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni mund ta kenë të dispozicion për finalen.

Douglas Costa është një futbollist mjaft i rëndësishëm për Sarrin, por gjatë gjithë sezonit është shoqëruar nga dëmtime të shpeshta dhe trajneri bardhezi nuk do të mund të mbështetet te ai as në fazën finale të Ligës së Kampionëve, një trofe që është edhe synimi i vërtetë e Juventusit.

Komento: