Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Pas takimit përfaqësuesit e QUINT-it nuk janë deklaruar për media. Por, në anën tjetër, adresim për media ka paralajmëruar kryeministri Kurti.
Siç është bërë e ditur nga Kryeministri, në ora 11:00, kryeministri i vendit pritet të dalë në një konferencë për media.
Pritet të shihet nëse qëndrimi i Kurtit për veriun ka ndryshuar dhe nëse ai do t’u përgjigjet kërkesave të BE-së e SHBA-së.
Kurti në vazhdimësi gjatë deklarimeve të tij të javës së kaluar, ka theksuar se Kosovës i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje, teksa shtoi se ndërkohë Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i japin fund trazirave.
Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin gjatë javës së kaluar në Kosovë.
Që të dy, edhe Lajçak edhe Escobar kanë bërë të ditur se kanë raportuar para eprorëve të tyre për rezultatet e takimeve në Kosovë e Serbi.