Bayerni kërkon t’i ulet çmimi Perisicit.
Bayern Munichu raportohet se nuk është i gatshëm t’i paguajë 20 milionë eurot e kërkuara nga Interi për transferimin në formë permanente gjatë verës të Ivan Perisicit, i cili ka qenë i huazuar në Allianz Arena gjatë këtij sezoni.
Gazetat italiane raportojnë se gjiganti i Bundesligës ka vendosur të mos e aktivizojë klauzolën në marrëveshjen me Interin për blerjen e sulmuesit kroat, pasi që dëshiron të negociojë për çmimin e tij me Interin, transmeton express.
Bayerni do të ketë mundësi ta mbajë Perisicin vetëm nëse Interi pranon t’ia ulë çmimin futbollistit, pasi që 20 milionë eurot për të cilat klubet u pajtuan verën e kaluar tani po vlerësohen si të tepërta nga ana e gjermanëve.
Perisici, i cili ka luajtur në 88 ndeshje për Kombëtaren e Kroacisë dhe shkoi deri në finale të Kupës së Botës 2018, i ka shënuar katër gola dhe ka kontribuar edhe me pesë asiste në 15 ndeshjet e tij në Bundesligë këtë sezon.
Ai është shëruar nga lëndimi që e kishte pësuar gjatë periudhës së karantinës shkaku i koronavirusit.
Kjo bën që ai të jetë në dispozicion të trajnerit Hansi Flick për ndeshjen e kësaj fundjave të Bayern Munichut kundër Union Berlinit, pasi Bundesliga do të kthehet të shtunën.