Përjashtohet nga puna kirurgu që ofendoi e s’i ofroi ndihmë pacientes në Prizren

22:00 | 05 Shkurt 2019

SHSKUK-ja suspendon kirurgun që ofendoi pacienten në Prizren.

Është larguar përkohësisht nga puna kirurgu Rrahim Ymeri, për sjellje ofenduese ndaj një pacienteje që në Spitalin e Prizrenit po kërkonte ndihmë.

Lajmin e ka bërë me dije SHSKUK-ja, përmes një njoftimi për media.

“Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, ka njoftuar drejtorinë e SHSKUK, se kirurgu RR.Y, është larguar përkohësisht nga puna, pas denoncimeve në media që ka bërë një paciente për mos ofrim të shërbimeve shëndetësore, e ku shihet se doktori në fjalë ka shkelur detyrat dhe përgjegjësitë e punës”, thuhet në njoftimin për media të SHSKUK-së.

Ka shkruar për këtë edhe në profilin e tij në Facebook, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Sapo u njoftova që kirurgu në Prizren është suspenduar nga menaxhmenti i Spitalit të Prizrenit. Ky reagim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që abuzojnë me pozitat dhe besimin e dhënë. Do të vazhdojmë të investojmë në sistemin shëndetësor dhe në të gjithë punëtorët shëndetësorë me integritet dhe etikë të lartë. Por, nuk do të kemi tolerancë ndaj abuzimeve”, ka thënë ministri Ismaili.

Ku postim i tij vjen një orë para një tjetri, ku ai vet tha se “gjuha e tillë e përdorur nga kirurgu në Siptalin e Prizrenit ndaj pacientes në dhimbje është e papranueshme”.

“Kjo thyen besimin e qytetarëve dhe i hedhë hije të keqe tërë sistemit shëndetësor. Pacienti dhe sistemi shëndetësor duhet të mbrohet nga të gjithë që e keqpërdorin besimin tonë, fyejnë pacientin dhe vet profesionin e mjekut. Merrni masa sonte. Nesër është vonë”, shkroi Ismaili.

Në një videoincizim dëgjohet pacientja me dhimbje të barkut duke qajtë, dhe mjeku që e ofendon rëndë.

Ky është transkripti i bisedës:

Pacientja: Ooo kam dhimbje…

Doktori: Mos na shurdho shumë, mos u bo idiote… majmun. Trulljaka niher, marre me kajt… mbylle gojën

Pacientja: O Zot i madh…

Doktori: Kur je n’zor “O Zoti”…

Pacientja: O mo se jam nervoz.

Doktori: Punë e madhe që je nervoz…

Dhimbja dyshohet se vinte nga sëmundja e “Apendesit”, që në popull njihet si “Zorra Qorre”.

Komento: