Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia ‘provë e dyshimtë’ për pronën milionëshe, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.
Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.
“Po u përfol, u përfol nëpër media e për ta ruajtur kredibilitetin e përjashtova”, ka deklaruar ai.
Sipas Gashit, përjashtimin e prokurores e ka bërë ex-officio edhe sipas kërkesë se palëve.
“Edhe kërkesa e palës edhe unë sipas detyrës zyrtare pa kërkesë. Ta ruajmë kredibilitetin dhe mos të duket që po dalim të njëanshëm, në asnjë mënyrë s’kam me leju, në asnjë mënyrë me u cenua rëndë autoriteti i Prokurorisë, pavarësisht tentativave që bëjnë njerëzit unë kam me u mundu me ruajt”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur nëse kanë gjetur elemente për të dërguar prokuroren në procedurë disiplinore, Gashi ka pyetur se pse është tendenca për ndëshkimin e prokurores.
“Është procedurë e brendshme ajo, shumë interne. Ajo është përjashtuar edhe u kry puna mo”, ka shtuar ai.
Në vend të prokurores Salihu, tashmë në këtë rast është caktuar Prokurori, Kushtrim Zeka.