Përleshja e mbrëmshme, Prokuroria po interviston Dardan Molliqajn, Haki Abazin e Rexhep Hotin

15:57 | 12 September 2019

Një përleshje ka ndodhur mbrëmë në mes të Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit.

Në ambientet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në këto momente po intervistohet ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i PSD’së, Dardan Molliqaj. Pak minuta më para deklaratë ka dhënë edhe kandidati për deputet nga VV, Haki Abazi. E prania e tyre para hetuesve lidhet me atë që ndodhi mbrëmë pas përfundimit të emisionit ‘Pressing’, me Leonard Kërqukin. Kandidati për deputet nga VV, Haki Abazi pas përfundimit të emisionit deklaroi se u sulmua fizikisht nga Molliqaj i PSD’së.

Lajmin për intervistim e ka konfirmuar për Express edhe kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

“Mund të ju konfirmojë se Prokuroria e shtetit tashmë ka nisur hetimet rreth kësaj çështjeje. Për këtë punë në ambientet e prokurorisë janë ftuar për intervistim tre persona. Molliqaj, Abazi dhe Hoti. Intervistimin e ka përfunduar deputeti Molliqaj. Ndërkohë dy të tjerët pritet që të intervistohen pas pak minutave”, ka deklaruar për gazetës kryeprokurori Munishi.

E ndërkohë Prokuroria e Prishtinës ka marrë një grumbull provash e dëshmitarësh për ta zbardhur këtë rast.

E debati mbrëmë në Pressing nisi dhe përfundoi me polemika të ashpra mes Abazit dhe Molliqajt.

Fillimisht Molliqaj nuk po e pranonte Abazin si përfaqësues të VV’së, duke thënë se ai është ‘profiter e servil’.

Abazi nga ana tjetër po e quante Molliqajn ‘tradhtar të votës së popullit’

Debati mes tyre eskaloi aq sa përmenden anëtarë të familjes njëri-tjetrit.

Pas përfundimit të debatit, Abazi gjatë ndërprerjes së emisionit është kthyer në studio dhe ka thënë se e ka sulmuar Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.

Të njëjtën e ka ri thënë për Gazetën Express, ndërsa Molliqaj përmes një statusi në Facebook ka mohuar akuzat e Abazit, duke shkruar se ‘asgjë nuk ka ndodhur’.

Komento: