Përleshja mes anëtarëve të PDK-së në Istog, ja ҫfarë thotë partia

13:43 | 03 February 2019

Të shtunën në Istog pati një përleshje fizike mes anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës kanë filluar të mbahen në tërë komunat e vendit.

Mbledhja e kuvendit të fshatit Studenicë, të shtunën nuk shkoi siç u planifikua. Aty derisa po bëhej propozimi i delegatëve dhe kandidatëve për kryetar të fshatit, disa persona filluan të përleshen fizikisht. Duke bërë kështu që ky takim të mbetet në gjysmë.

E duket se përleshja e mbrëmshme ka ardhur si rezultat i disa inateve të mëhershme në mes të anëtarëve të kësaj partie.

Shefqet Zeqiraj, anëtar i PDK’së në fshatin Studenicë, ka thënë për Express se e tërë kjo ngjarje ka ndodhur papritur dhe se dukej sikur të ishte e orkestruar për ta prishur mbledhjen.

“Ne e patëm një mbledhje të kuvendit e për që na ndodhë ajo që ndodhi as andërr nuk e kemi pa. Aty si me qenë diçka e përgaditur për ta prishur mbledhjen. 157 veta kemi qenë, ishte duke shku gjithçka mirë. I propozuam delegatët, i propozuam dy për kryetarë, kryesinë e formuam, u propozuan delegatët, aty ka ardhë Fisnik Sadikaj dhe ka folë me Sylë Maksutajn, i cili ka qenë kryetar i fshatit deri tani kur po mbahen zgjedhjet. Fisniku e ka fillu këtë ngjarje, ka ardhë i ka thënë Sylës ti me këta të tjerët ma keni rrëzu babën prej pozite, masa është ngritë në këmbë dhe nuk din kush çka ka ndodhë”, ka thënë Zeqiraj.

Fisnik Sadikaj është djali i Beqir Sadikajt, dikur ushtrues detyre i kryetarit të degës së PDK’së në Istog. Ky i fundit është shkarkuar nga kryesia para tetë muajsh, pasi siç thotë Zeqiraj, kishte lidhur koalicion me LDK’në në Istog, pa u koordinuar me asnjë anëtar të partisë. E Kjo duket të ketë qenë ngjarja që i biri i tij ka aluduar edhe mbrëmë, kur e ka akuzuar kryetarin e deritanishëm të fshatit, Sylë Maksutajn, se ai së bashku me të tjrët e rrëzuan nga pozita Beqirin.

“Në Istog s’ka pasë kryetar partie prej kur ka dalë Shasivar Haxhiaj para dy vitesh. E kemi pasë ushtrues detyre Beqir Sadikajn, por ai i ka bërë disa gjëra që kryesia e komunës s’ka qenë e kënaqur me të, e kemi shkarku kryesinë, s’kemi pasë kryesi as kryetar, tash e tetë muaj. Ia kemi dërgu kërkesën Kadri Veselit, të nënshkruar nga 48 degë, për rrëzim të kryesisë, e kemi thirrë kuvendin dhe e kemi rrëzu vet vetën d.m.th tërë kryesinë, arsyeja ka qenë se Beqiri ka bërë koalicion me LDK’në në Istog dhe nuk është koordinu me asnjë anëtar të partisë”, është shprehur Zeqiraj.

Zeqiraj thotë se përkundër bisedës që Fisniku e ka bërë më Sylën, nuk kanë filluar të përleshen, mirëpo anëtarët tjerë të cilët ishin prezentë e kanë bërë këtë dhe më pas janë përfshirë shumica prej tyre.

E për përleshjen e djeshme Zeqiraj thotë se e kanë njoftuar edhe kryesinë e partisë. Kanë folur me Adem Grabovcin për të bërë përpjekje që këto probleme të mos vazhdojnë, si dhe e kanë njoftuar kryetarin e partisë, Kadri Veselin.

Video nga përleshja:

Komento: