Përleshje me armë në Ballancë të Vitisë – pesë persona arrestohen pas një incidenti të rëndë

23:18 | 11 Maj 2025

Një përleshje fizike mes pesë personave ka ndodhur të dielën rreth orës 14:10 në fshatin Ballancë të komunës së Vitisë, ku situata ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili bëri të ditur se konflikti kishte shpërthyer pas një mosmarrëveshjeje mes pesë personave. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë tri herë me armë zjarri të tipit TT në drejtim të të përfshirëve në përleshje.

Për fat të mirë, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, megjithatë një person ka pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes fizike dhe është duke u trajtuar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit. Sipas mjekut kujdestar, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes duke konfiskuar armën e dyshuar, tri gëzhoja dhe tre fishekë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë kryer kontrolle në dy shtëpi të të dyshuarve në lokacione të ndryshme.

Të gjithë pesë personat e përfshirë janë arrestuar dhe, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre janë iniciuar kallëzime penale për veprat: “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Komento: