Janë bërë të shpeshta përleshjet në Lidhjen Demokratikë të Kosovës.
Procesi i brendshëm i zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka kohë që është duke u përcjellë me tensione dhe me përleshje fizike. Ndonëse për LDK-në problemet e tilla nuk po shihen si serioze, ambiciet për të parin e partisë vlerësohet se mund të sjellin edhe një “kuvend të rrahjes me karrige” siç kishte ndodhur në vitin 2006
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë për “Zërin” se incidentet brenda LDK-së po vijnë nga pakënaqësitë që po hasen nëpër degët dhe nëndegët e partisë, po që sipas tij nuk janë shumë serioze dhe do të tejkalohen.
“Ka pasur aty-këtu disa incidente, pakënaqësi të shprehura brenda kuvendeve, por besoj që ato do të tejkalohen. Ka pasur disa incidente, nuk do t’i quaja përleshje, por ne i kemi trajtuar në mbledhjen e fundit dhe shpresoj që procesi do të vazhdojë mirë dhe pa telashe të mëtutjeshme”, ka theksuar Rugova.
Mirëpo Rugova shprehet i shqetësuar se këto po ndodhin nga persona të infiltruar nga partitë tjera dhe se kanë qëllim prishjen e imazhit të LDK-së.
“Natyrisht që këto incidente mund ta dëmtojnë imazhin e LDK-së, por unë këto i shoh edhe si përpjekje për të bërë një gjë të tillë. Nuk e kuptoj si mund të infiltrohen edhe njerëz brenda strukturave tona që mund të marrin veprime të tilla pikërisht për dëmtimin e imazhit. Mirëpo LDK-ja i ka përvojat e veta dhe nuk do të lejojë që të prishet imazhi i saj. Për momentin LDK-ja është në proces të brendshëm zgjedhor, por ne do ta tejkalojmë këtë situatë të pakëndshme”, ka pohuar Rugova.