
Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka njoftuar në lidhje me seancën e sotme konstituive që është mbajtur.
Ata kanë njoftuar se sot janë betuar deputetët e legjislaturës së XI-të të Kuvendit.
“Nën drejtimin e deputetit më të vjetër, Avni Dehari, shoqëruar nga deputetja më e re, Fatma Taçi, ka filluar sot punimet seanca konstituive e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë. Pasi i uroi deputetët për zgjedhjen e tyre, kryesuesi i seancës, Dehari, procedoi me rendin e ditës”, ka njoftuar Kuvendi.
Ata kanë thënë se në vijim u paraqitën propozimet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Partitë e përfaqësuara në Kuvend, propozuan nga një anëtar të këtij komisioni.
“Pas mbledhjes së komisionit, Kuvendi miratoi raportin e paraqitur nga kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi. Më pas, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhanë betimin. Në pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, fjalën e mori kryeministri në detyrë, deputeti Albin Kurti, nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit”, thuhet në njoftim.
Në fjalën e tij, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet, duke theksuar se ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK dhe rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë.
“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me AAK-në, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë. Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan sepse në prill nuk u zgjodh presidenti. Ne duam të ecin përpara, bashkarisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetueshmëria, për të cilën u betuam sot. Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë serish drejt edhe një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme e të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuar kryesues, z. Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë, që t’u japim shanse bisedimeve politike, për marrëveshje për president a presidente të re”, theksoi Kurti.
Pas kësaj, kryesuesi Dehari tha se meqë nuk ka emër të propozuar për kryetar Kuvendi nga subjekti më i madh, obligohet ta ndërpresë seancën, për vazhdimin e të cilës deputetët do të njoftohen me kohë.