Përmbyten lagjet e Vlorës, mbi 100 familje të rrethuara nga uji

17:38 | 13 January 2025
permbyten-lagjet-e-vlores,-mbi-100-familje-te-rrethuara-nga-uji

Mjaftuan disa orë reshje me intensitet që hidrovori i qytetit të Vlorës të dalë nga funksioni. Si pasojë lagjia ‘24 Maji’ është e mbuluar nga uji, ku më shumë se 100 familje janë zgjuar këtë të hënë nën pushtetin e ujit. Sipas banorëve, kjo situatë përsëritet shpesh edhe për shkak të bllokimit të kanalit kullues që përshkon lagjen mes për mes.

“Shife si është, duket gjendja nuk ka afre nevopjë për koment. E gjithë kjo lagjia këtu është me ujë nëpër banesa”, tha një qytetar i zonës

Një banor ka shprehur pakënaqësinë e tij duke theksuar se përmbytjet ndodhin shpesh por në Vlorë vinë vetëm kur janë votat.

“Gjendja është katastrofë. Nëse vazhdohet kështu edhe mund të mbytemi. Këta vinë vetëm kur janë votimet”.

Një tjetër qytetar shprehet se nuk ka punuar hidrovori dhe nuk është hera e parë që përballen me përmbytje.

“Janë mbytur disa shtëpi, është katastrofë, nuk punon hidrovoli”, tha ai.

Përpos përmbytjeve të shkaktuara, banorët tregojnë se këtë fillim javë nuk kanë mundur të çojnë dot fëmijët në shkollë e as vetë të shkojnë në punë, pasi nuk dalin dot nga shtëpitë.

“Nuk lëvizim dot, ka shumë dëmtime. Ju e shikoni vetë, nuk dimë çfarë të bëjmë”, tha një qytetare.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në lagje të tjera të qytetit, ku në disa lagje ka ende prezencë të ujit, duke e vështirësuar lëvizjen normale të qytetarëve dhe automjeteve./euronews

 

Komento: