Përmbytet kati i parë i burgut të Durrësit, zhvendosen të paraburgosurit

14:26 | 06 Janar 2026
Përmbytet kati i parë i burgut të Durrësit, zhvendosen të paraburgosurit

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut mëngjesin e kësaj të marte, raportohet se është përmbytur edhe burgu i Durrësit. Burime të mediave bëjnë me dije se kati i parë i IEVP Durrës është totalisht nën ujë dhe të paraburgosurit janë zhvendosur në katet e sipërme.

Në këtë institucion, mes të dënuarve të tjerë, ndodhen edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Durrësi është një nga qytetet më të prekur nga reshjet, pasi janë përmbytur rrugë të tëra, si dhe pika hyrëse në rrugën interurbane Tiranë-Durrës.

Deri tani raportohet për 10 familje të evakuuara në këtë qytet, ndërsa kalimi është devijuar nga rruga e Ndroqit dhe Elbasani. Probleme janë shfaqur edhe në Shkodër Lezhë dhe Kukës, ndërsa si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës./A2 CNN

Komento: