Vëllau i Oliver Ivanoviqit i ka reaguar Presidentit serb.
Aleksander Ivanvoviq vëllai i politikanit tashëm të ndjerë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka rrezikuar hetimet me deklaratat e tij të bëra të mërkurën rreth rastit të privimit nga jeta.
Ivanoviq thotë se nuk e di fare se kush janë emrat të cilët Vuçiq i ka përmendur. Ai thotë se si avokat që është nuk e di se mbi çfarë baze Aleksander Vuçiq ka lëshuar informacione të procesit hetimor tek publiku.
“Unë absolutisht nuk e di kush janë njerëzit që Aleksander Vuçiq i ka përmendur në konferencën për shtyp. Megjithatë, si avokat pyes veten se në bazë të çfarë autoriteti, presidenti i shtetit ka dhënë informacione te hetimit për publikun”, ka thënë vëllai i Oliver Ivanoviq për ‘Danas’.
Ai thotë se duke dhënë emra të të dyshuarve, Vuçiq ka rrezikuar rrjedhën e hetimeve.
Përmendjen e emrit të biznesmenit Florim Ejupi si i dyshuar për rastin, Aleksdander Ivanoviq, e sheh si veprim politik të Vuçiqit.
“Politika është përfshirë jashtëzakonisht shumë në këtë rast, dhe ka shumë pak punë hetimore dhe profesionale”, ka shtuar ai.
Në fund ai ka përmendur edhe kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në veri të Mitrovicës.
“Pyetja është se çfarë ka ndodhur me rreth 100 kamerat e vendosura që mbulonin veriun e Mitrovicës. Bazuar në gjithë ato që kemi parë, privimi nga jeta i Oliver Ivanoviqit është kryer nga një profesionist. Ata do të duhej ta skanonin terrenin për ditë me radhë. Përmbajtja e kamerave mund të thotë shumë për këto pyetje, dhe serbët kanë kontroll mbi to”, ka shtuar ndër të tjera Aleksander Ivanoviq.