
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se rreth 50% e shkollave kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet.
Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se kjo gjë është bërë e ditur pas raportit të sigurisë i cili është realizuar në shkollat e Kryeqytetit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, kam ftuar në takim drejtorët e të gjitha shkollave të Kryeqytetit, së bashku me Policinë e Kosovës, Zjarrëfiksat dhe drejtorët e Arsimit, Inspekcionit, Investimeve Kapitale, Transformimit, Mobilitetit, Shërbimeve Publike, si dhe Sigurisë dhe Emergjencave. Qëllimi i këtij takimi është që ta shqyrtojmë në detaje raportin e sigurisë dhe të identifikojmë menjëherë hapat konkretë që duhet të ndërmerren”, ka shkruar Rama.
Postimi i tij i plotë:
Raporti i sigurisë i realizuar në shkollat e Kryeqytetit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka treguar se rreth 50% e shkollave kanë çështje të sigurisë ku duhet të intervenohet.
Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje, kam ftuar në takim drejtorët e të gjitha shkollave të Kryeqytetit, së bashku me Policinë e Kosovës, Zjarrëfiksat dhe drejtorët e Arsimit, Inspekcionit, Investimeve Kapitale, Transformimit, Mobilitetit, Shërbimeve Publike, si dhe Sigurisë dhe Emergjencave. Qëllimi i këtij takimi është që ta shqyrtojmë në detaje raportin e sigurisë dhe të identifikojmë menjëherë hapat konkretë që duhet të ndërmerren.
Në këtë proces, çdo drejtori do të marrë përgjegjësitë që i takojnë sipas fushës së saj, ndërsa një pjesë e masave do të adresohen edhe nga vetë menaxhmentet e shkollave.
Siguria në shkolla është një përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.
Zero kompromis kur është në pyetje siguria e fëmijëve tanë.