
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me një postim në Facebook alarmon se vendi po shkon drejt autokracisë, “dhe kjo nuk duhet t’i ndodhë këtij shteti”, deklaron Rama.
Përparim Rama thotë se “synimi është i qartë. Të heshtet çdo zë kritik, derisa në fund të mbetet vetëm një e “vërtetë”, ajo që e thotë Albin Kurti”.
“Prandaj, ka nisur linçimi i gazetarëve. Prandaj tentohet diskreditimi i tyre, që të mos u besojë kur raportojnë skandalet e qeverisë dhe të partisë!”, vijon ai.
Tutje Rama thotë, “dhe pasi ta kapin gjyqësorin dhe mediat, Albin Kurti ka me dalë me na kallxu edhe çka me bo në shtëpitë tona. Kur u kritikua për rritjen e çmimit të rrymës, na tha: “Mos u nxeni shumë, mlohnu me qebe”. Nesër ka me na kallxu edhe nxemjen a me lshu në 1-sh, 2-sh apo 3-sh!!”.
Ai pyet, “a ka ofendim më të madh për këtë popull sesa të përfaqësohet nga çifti i Dejona Mihajlit?”. Duke shtuar se është duke përgatitur padi për shpifje ndaj Mihalit.
“Unë jam këtu dhe çdo ditë kam me tregu pse ju jeni e keqja ma e madhe qe i ka ndodh këtij vendi. Unë jam këtu, ku i kam varret e të parëve të mi dhe ku rriten fëmijët e mi”, shprehet Rama.
Postimi i plotë i Përparim Ramës:
A ka ofendim më të madh për këtë popull sesa të përfaqësohet nga çifti i Dejona Mihajlit? A ka fatkeqësi më të madhe sesa partnerit tonë më të madh strategjik, SHBA-së, t’i përgjigjet në emër të popullit të Kosovës, çifti i Dejona Mihajlit? A ka ofendim më të madh për këtë popull sesa për luftën e UÇK-së, të flas çifti i Dejona Mihajlit?
Per gjuhën e saj që e shpërfaq nivelin e saj jam duke përgatitur padi. Padi për shpifje. Është mësu ajo me u fsheh pas brigadave të Facebook-ut dhe mijëra profileve false, duke përçarë shqiptarët, duke i ofendu nënat tona, gratë, fëmijët, luftën, kontributin, atdheun dhe gjithçka që është e shenjtë.
Tash ka me u përballë me Prokurorinë, atë institucion që ende nuk keni arritë me e kapë!
Ju rikujtoj se nëse mendoni se me kërcënime e shantazhe keni me m’ndalë, harrojeni!
Unë jam këtu dhe çdo ditë kam me tregu pse ju jeni e keqja ma e madhe qe i ka ndodh këtij vendi. Unë jam këtu, ku i kam varret e të parëve të mi dhe ku rriten fëmijët e mi.
Kush jeni ju, kujt i shërbeni dhe pse jeni këtu, këtë ka me e kuptu shumë shpejt populli i Kosovës!
Të dashur qytetarë,
Po hyjmë në fazën më të rrezikshme si shoqëri: normalizimin e një mentaliteti totalitar, ku çdo zë kritik duhet të heshtet, të diskreditohet dhe, në fund, të burgoset.
Vetëvendosje, prej vitesh dhe në mënyrë të orkestruar, ka punuar për ta zhvlerësuar çdo vlerë të luftës çlirimtare, çdo hero dhe çdo familje dëshmori. Çdo njeri që ka dhënë për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës është sulmuar në mënyrën më të ulët. Janë fyer nënat e dëshmorëve, janë fyer heronjtë dhe qytetarët. Sepse për ta ky popull duhet të zhvishet nga çdo vlerë, që në fund në skenë të mbetet vetëm një emër, Albin Kurti.
Historia e njerëzimit na mëson se autokratët fillimisht i zhvlerësojnë kundërshtarët, pastaj i përndjekin dhe në fund i burgosin. Gjyqësori i lirë është pengesa e fundit mes qytetarit dhe pushtetit absolut, prandaj është institucioni që me ngulm po tentojnë ta nënshtrojnë.
Me një strategji të orkestruar mirë, i janë vërsulur edhe medieve. Skandali në Komisionin e Pavarur të Medieve, nuk është rastësi, por pasqyrë e mendësisë dhe e nivelit të njerëzve që VV delegon në institucione. Synimi është i qartë. Të heshtet çdo zë kritik, derisa në fund të mbetet vetëm një e “vërtetë”, ajo që e thotë Albin Kurti.
Prandaj, ka nisur linçimi i gazetarëve. Prandaj tentohet diskreditimi i tyre, që të mos u besojë kur raportojnë skandalet e qeverisë dhe të partisë!
Me të njëjtën metodë sulmohen edhe analistët, shumë prej tyre dikur miq e bashkëpunëtorë të tij, të cilët besuan se bashkimin kombëtar me Shqipnin e ka pas pernime! Ata e dinë më së miri kush është Albin Kurti dhe në fatkeqësinë e kujt ka kalkuluar ai?!
Dhe pasi ta kapin gjyqësorin dhe mediat, Albin Kurti ka me dalë me na kallxu edhe çka me bo në shtëpitë tona. Kur u kritikua për rritjen e çmimit të rrymës, na tha: “Mos u nxeni shumë, mlohnu me qebe”. Nesër ka me na kallxu edhe nxemjen a me lshu në 1-sh, 2-sh apo 3-sh!!
Në cilin sistem ndodh kjo? Është koha e fundit që secili ta kuptojë se po ecim drejt AUTOKRACISË. Dhe kjo nuk duhet ti ndodh këtij shteti!