
Përparim Rama, kryetar i Prishtinës në përvjetorin e 18 të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se 17 shkurti është përmbledhje e sakrificave, qëndresës dhe besimit në shenjtërinë e lirisë.
Rama ka thënë edhe se, liria e vendit, mban emra, fytyra e histori të gjalla, e cila u ndërtua mbi sakrificën e të burgosurve politikë, u forcua përmes vizionit paqësor të Rugovës, dhe u vulos me gjakun e luftës së UÇK’së.
‘’17 shkurti është vijë ndarëse mes epokave, është përmbledhje sakrifice, qëndrese dhe besimi tonë kolektiv në shenjtërinë e lirisë. E kjo liri mban emra, mban fytyra, mban histori të gjalla. Ajo u ndërtua mbi sakrificën e të burgosurve politikë që mbajtën gjallë frymën e qëndresës në vitet më të rënda. U forcua përmes vizionit paqësor e shtetformues të doktor Ibrahim Rugovës, u vulos me gjakun e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe u kurorëzua me partneritetin ndërkombëtarë që e shndërroi të drejtën tonë në realitet shtetëror’’, ka thënë ai, përcjell Gazeta Express.
Rama ka shtuar edhe se lufta çlirimtare mbetet themeli mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës.
‘’Lufta çlirimtare mbetet themeli mbi të cilin qëndron shteti ynë. Drejtësia mbetet ura që lidh të kaluarën me të ardhmen. Nderim çlirimtarëve tanë, drejtësi për historinë tonë’’, ka përfunduar ai.