Përparim Rama reagon pasi Qeveria miratoi projektligjin për buxhetin: Rreziku që t’i humbim Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 është serioz

21:15 | 02 Nëntor 2026

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi Qeveria ka miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, duke u shprehur se “qeveria vazhdon të rrezikoj lojërat mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Edhe një herë i bëj thirrje publike Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës që t’u përmbahen plotësisht marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara, për të mos rrezikuar organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, shkruan Rama në FB, transmeton Express.

Tutje, Rama thekson se “NË LETRËN E DATËS 15 TETOR, ICMG-JA KA PARALAJMËRUAR QARTË SE QASJA E QEVERISË SË KOSOVËS PO RREZIKON MBAJTJEN E LOJËRAVE MESDHETARE PRISHTINA 2030”.

Për këtë çështje, Rama është shprehur:

Në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ, përsërita qëndrimin tim, përgatitja dhe organizimi i Lojërave duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e saj dhe duke zbatuar marrëveshjet dhe vendimet e miratuara deri më tani!

Si Kryeqytet, i kemi përmbushur obligimet tona. Vazhdimisht kemi kërkuar që edhe Qeveria t’i përmbushë të vetat dhe ta marrë seriozisht paralajmërimin e ICMG-së.

PO E NGRE PUBLIKISHT ALARMIN: RREZIKU QË T’I HUMBIM LOJËRAT MESDHETARE PRISHTINA 2030 ËSHTË SERIOZ.

Kryeministër, zbatoni atë për të cilën jeni dakorduar, keni nënshkruar dhe jeni obliguar. Koha po kalon dhe përgjegjësia nuk mund të mbulohet me fjalime militantësh pastaj!

Mos ia humbni qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike!

Komento: