Përparim Rama sqaron rastin e shtëpisë në “Rrugën A”

17:30 | 22 Korrik 2026
perparim-rama-sqaron-rastin-e-shtepise-ne-“rrugen-a”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një sqarim publik lidhur me rastin e shtëpisë në “Rrugën A”, duke theksuar se objekti në fjalë është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.

Sipas Ramës, familjet që banonin në këto objekte janë evakuuar që para dy vitesh për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut.

Ai bëri të ditur se, megjithëse objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Komuna e Prishtinës ka mbuluar dhe vazhdon të mbulojë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.

Rama u bëri thirrje personave të përfshirë që të mos hyjnë në zonën ku po zhvillohen punimet, duke theksuar se ajo vazhdon të jetë e rrezikshme dhe se bëhet fjalë për pronë komunale.

“Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, thuhet në sqarimin e Ramës.

Komento: