Kosova është duke i bërë përgatitjet që në takimin e Parisit, i cili pritet të mbahet më 1 korrik, me qëndrime të koordinuara, kanë deklaruar zyrtarët e krerëve institucionalë të Kosovës.
Gjatë ditës së hënë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e kanë pritur delegacionin ndërqeveritar të Francës dhe Gjermanisë, të cilët kanë ardhur në Kosovë për të diskutuar për përgatitjet lidhur me takimin e Parisit, ku presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të jenë nikoqire të delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me delegacionet nga Franca dhe Gjermania, ka theksuar se pret që takimi i Parisit t’i hapë perspektivë të sigurt vazhdimësisë së dialogut dhe mundësisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe perspektivës evropiane të Kosovës.
Thaçi theksoi se taksa doganore prej 100 për qind për mallrat e importuara të Serbisë, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës, do të mbetet, por gjithashtu shtoi se marrëveshjet e arritura në Bruksel, në vitin 2013, duhet të respektohen nga të gjitha palët.
“Shpresoj se do të ketë një përkushtim serioz edhe në javët e ardhshme që kanë mbetur, në mënyrë që të jetë një koordinim i plotë, që të ketë reflektim konkret të angazhimeve tona në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy vende sovrane”, ka theksuar Thaçi.
Ai ka shtuar se, bazuar në frymën e diskutimit që është zhvilluar në takimin me delegacionet nga Franca dhe Gjermania, ekziston një angazhim më serioz, të një koordinimi gjithë evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kusht i domosdoshëm për suksesin e procesit.
Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Faceboook, ka theksuar se me delegacionin ndërqeveritar të Francës dhe Gjermanisë kanë diskutuar për rrjedhën e Samitit të Berlinit dhe parapërgatitjet për vazhdimin e angazhimit në takimin e radhës në Paris.
“Kosova është gati për marrëveshje gjithëpërfshirëse, për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë aktualë, dhe mirëpresim fokusin e Gjermanisë dhe Francës për të rikthyer dialogun në binarët e duhur”, ka thënë Haradinaj.