Përplasej mes pozitës e opozitës në Kuvend, shkak Projektligji për dialogun – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Përplasej mes pozitës e opozitës në Kuvend, shkak Projektligji për dialogun

19:32 | 02 Shkurt 2019

Projektligji për dialogun është përcjellur me përplasje mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka prezantuar Projektligjin para deputetëve, ku ka thënë se kryefjala e këtij projektligji është Kushtetuta e Kosovës dhe mbrojtja strategjike e vendit.

Hoxhaj tha se projektligji i jep mandat të plotë delegacionit shtetëror, dhe me këtë rregullohet llogaridhënia politike para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Rregullon atë se çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, cilat janë vijat e kuqe të Kosovës në këtë proces, funksionimin e delegacionit shtetëror, strukturën dhe përgjegjësitë e tij, sikurse edhe koordinimin në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, duke përfshi Kuvendin, Presidentin dhe qeverinë e Kosovës”, tha ai.

Tutje, ai tha se projektligji e rregullon përbërjen e barabartë të të gjitha subjekteve politike, se si të përfaqësohen në delegacion, dhe krijon mundësi të ketë edhe një përfaqësues nga shoqëria civile, transmeton kp.

Por, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha se ligji në fjalë do të legjitimonte ndarjen e vendit.

“Sot para nesh e kemi një ligj që i jep legjitimitet, e mbështetje të plotë politike presidentit dhe legalizon planet e tij për copëtim të vendit që deri tani nuk gjenin aleatë në Kosovë por ngelin thjeshtë si plane ruso-serbe për ndarjen e Kosovës. Ligji në kundërshtim me të që tha zv. Kryeministri, lëre që nuk pozicionohet në raport me negociatat e deritanishme të udhëhequra herë në mënyrë të fshehtë herë publike në nivel presidentësh, por hap rrugë që negociatat për territor të vazhdojnë duke mos vendosur asnjë kufizim të vetëm dhe asnjë vijë të kuqe për asnjë temë. Pra, ky ligj lejon edhe negocim të ndarjes edhe të shkëmbimit, edhe të korrigjimit edhe të Asociacionit të Komunave Serbe edhe ekstra territorialitetit e çka jo tjetër. Por ky ligj e ka një kusht, e ai është që kur Thaçi të shkojë në Bruksel t’i marrë edhe disa të tjerë me vete, por disa të tjerë që nuk do ta ndalojnë copëtimin e vendit, por me ketë ligj thjeshtë do ta legjitimojnë atë”, tha ajo.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kërkoi që Kuvendi të nxjerr një dokument, i cili do t’i ndalonte presidentit të vendit negociatat me Serbinë.

“Mendoj që për dy arsye Kuvendi i Kosovës duhet me nxjerr një dokument i cili ia ndalon negociatat me Serbinë, Hashim Thaçit, ajo për të cilën kemi nevojë në këtë Kuvend është një dokument që ia ndalon atij çfarëdo negociate me Serbinë. Janë dy argumente shumë të fuqishme pse duhet kjo me ndodh, e para ka të bëjë me temat që ai po i hap në dialog me Serbinë, e kemi një president i cili, më falni, por në muajin shtator të vitit të kaluar ka thënë që është duke negociuar me Vuçiqin kufirin e gjatë 430 kilometra mes Serbisë dhe Kosovës, siç e thotë edhe shkenca e Gjeografisë kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është rreth 370 km, kah i dolën 60 km më shumë presidentit tonë. Qysh mundet të shkojë presidenti deri në këtë pikë të negociatave me Serbinë”, tha ai.

Debati për projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës pas miratimit të projektligjit për pagat në sektorin publik.

Komento: