Quni flet për përplasjet e djeshme në Komision
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, në një deklaratë dhënë Periskopit ka thënë se debati për çështjet e luftës mes tij, presidentit Hashim Thaçi dhe deputetit të PDK’së, Hajdar Beqa, është përmbyllur dje, në momentin e përfundimit të Mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për deportimin e gylenistëve, ku për raportim ishte ftuar presidenti Thaçi.
Quni për Periskopin ka thënë se dëshmitë për të mira për kontributin e tij gjatë luftës janë videot e publikuara në you tube.
“Çka do që kishim ne e përmbyllëm dje gjatë mbledhjes së Komisionit. Të gjitha materialet për mua mundesh me i vërtetu, hyn në you tube dhe i gjen”, ka thënë Quni.
Ai ka thënë se nuk e ka parë deklaratën e Milaim Zekës se ‘Thaçi edhe në luftë edhe në paqe është 200 herë më trim se Quni”, andaj refuzoi ta komentojë.
“Këtë të Zekës nuk e kam dëgjuar. Është mendim i tij. Besoj që debati është mbyllur dje. Nuk kam gatishmëri me zgjat më tutje. Çka kam me thënë për presidentin, unë e them në prezencë të presidentit. Çka kam me thanë për ndonjë bashkëluftëtar timin, e them në prezencë të tij. Nuk u përgjigjem akuzave në këtë mënyrë”, ka thënë tutje Quni për Periskopin, teksa ka kërkuar që të mos i bëhen pyetje të tjera.
Në anën tjetër, deputeti i Nismës, Milaim Zeka, në një deklaratë dhënë Periskopit gjatë ditës së sotme ka folur për përplasjet e djeshme mes deputetëve e presidentit për çështjet e luftës në mbledhje të Komisionit.
Ai i është përgjigjur thirrjes publike të deputetit të PDK’së, Hajdar Beqa, i cili i kërkoi atij dokumentimin qoftë edhe të 5 sekondave të deputetit të LDK’së, Anton Quni në vijat e frontit gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Zeka ka thënë se aktualisht nuk ka përgjigje për deputetin Hajdar Beqa, por që as sa mban mend nuk ka asnjë material në arkivë të Anton Qunit në vijë të frontit.
Ai kujton një intervistë që kishte bërë me Qunin, por në bazën komanduese ku qëndronte ai.
“Unë nuk e di a kam, duhet me i shiku arkivat, por aq sa mbaj mend s’kam asnjë material të Anton Qunit në vija të frontit. Të Hysen Berishës po. Por, nuk kam me sa mbaj mend me Anton Qunin. Me Anton Qunin kam bërë intervistë, po jo në vijë të frontit. Kam bërë intervistë edhe me Rrustem Berishën, por në bazën komanduese ku kanë qenë, jo në vijë të frontit”, ka thënë Zeka për Periskopin.
Tutje, Zeka thënë për Periskopin se deputeti i LDK’së, Anton Quni nuk ka të drejtë t’i thotë presidentit ‘frikacak’.
“Më çfarë të drejte, Anton Quni i thotë presidentit unë e di që je tut në luftë, e tash po tutesh edhe në paqe. Unë të garantoj se presidenti edhe në luftë edhe në paqe është nja 200 herë më trim se Anton Quni. Po të garantoj që presidentit as në luftë, as në paqe, palla nuk i han për kërkon. Nuk e kuptoj çfarë pyetje është kjo që në Komision Hetimor me i thanë presidentit e di që je frikësu në luftë, e tash po frikësohesh edhe në paqe”, ka thënë tutje Zeka.
Deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa, në një publikim në rrjetin social “Facebook”, i kërkoi deputetit të Nismës, Milaim Zeka që të hulumtojë arkivat e tij dhe të dokumentojë vetëm 5 sekonda të Anton Çunit në luftë.
“Nga kontesti i “shitjes” së trimërisë nga deputeti Anton Çuni ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe deputetit Hajdar Beqa! Kolegu deputet Milaim Zeka, është raportuesi më real i luftës, është autor edhe i shumë filmave dokumentar, mes tjerash edhe i dokumentarit për Komandantin Legjendar Adem Jashari. Unë me Milaimin shpesh jam përplasur edhe në parlament, por kur është fjala te ana faktike për luftën, deri më sot çdo pamje e vërtetë nga arkiva e tij ka dalë! Mbi bazën e kësaj, po i bëjë thirrje publike: Milaim Zeka, A mundesh me hulumtu arkivat tua dhe me vetëm 5 sekonda me e dokumentu që Anton Çuni ka qenë në vijat e frontit?!!!”, ka shkruar Beqa në Facebook.
Ky postim i Beqës erdhi pas përplasjes që pati ai me deputetin e LDK’së, Anton Quni, në mbledhjen e Komisionit Hetimor për deportimin e gylenistëve.
“Ti s’e din çka është lufta, se s’je kanë këtu hiç. Ti ke gjuajt prej Shqipërisë atje. Ti as vjet në luftë nuk ki sa kom veprime në luftë unë”, i ka thënë Beqa Qunit.
Tutje, Qunit për luftën i ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi.
“Ti ke hyrë në Kosovë, masi ka hyrë NATO këtu. Mos u djerësit me fol për luftë hiç, se as që ke qenë këtu. Ti edhe kur ke ardh, e ke pas shpinën e sigurume. Ti asnjë ditë luftë nuk e ke në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
“Unë nuk dua të flas për luftë se ka pasur njerëz që nuk kanë hëngër bukë tri ditë, e në anën tjetër ka pasur njerëz që kanë marrë mëditje, siç ka qenë Quni”, ka thënë tutje deputeti i PDK’së, Hajdar Beqa.
Edhe Quni e ka quajtur frikacak Beqën, të cilit i ka thënë se në një udhëtim e kishte mbajtur në prehër, aq shumë që ishte frikësuar.