
Një skenë e pazakontë është regjistruar në Kuvendin e Kosovës, ku deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri është përplasur verbalish me shefen e deputetëve të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, derisa i është afruar për t’i kërkuar nënshkrimet.
Sipas asaj që dëgjohet në sallë, Bahtiri i është drejtuar Lushakut duke i thënë se ka shkuar në emër të LVV-së për të siguruar nënshkrimet dhe për të arritur një marrëveshje.
“Në emër të LVV-së kam ardhur për t’i kërkuar nënshkrimet edhe të merremi vesh”, i është drejtuar Bahtiri shefes së deputetëve të LDK-së.
Por Lushaku-Sadriu e ka refuzuar, duke e cilësuar veprimin si “teatër” dhe duke i thënë se ai nuk është autoriteti që kërkon nënshkrime.
“Ju lutem teatrat i keni më poshtë. Nuk je ti autoriteti që i kërkon nënshkrimet”, është përgjigjur Lushaku.
Në afërsi të tyre janë parë edhe pjesëtarë të Policisë, teksa situata ka tërhequr vëmendjen e deputetëve të pranishëm në sallë.