Përplasje mes zyrtarëve të MAP-it dhe MKRS-së.
Një përplasje verbale ka ndodhur në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mes zyrtarëve të kësaj Ministrie dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Administratës Publike.
Këta të fundit, tinëzisht, tentuan që përmes kompanisë “Uni Projekt” të largojnë nga MKRS-ja materialet dhe gjësendet e punës për t’i zhvendosur të njëjtat përkohësisht në një objekt privat.
Indeksonline ka incizuar momentin e përplasjes mes zyrtarëve të MAPL-së dhe MKRS-së. Dy palët nuk u pajtuan me njëra-tjetrën duke arsyetuar qëndrimet e tyre.
“Unë veç një sen po ta tham, prit veq pak… Ne i kemi kompetencat tona. Na thonë shkoni bani qato, ne i bajmë…S’kemi çka me disktu. Edhe puna jote, ti je drejtor i sporteve a çka je…”, është shprehur një përfaqësues i dikasterit të Administratës Publike.
Ndërsa, i shokuar me veprimet ka mbetur njëri prej drejtorëve të MKRS-së. Ai u shpreh se është kategorik kundër që ata të barten dhunshëm diku tjetër.
Lidhur me këtë rast ka intervenuar edhe Policia e Kosovës e cila s’ka lejuar të ndodhë ndonjë përplasje fizike.
Vlen të theksohet se zhvendosja e stafit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga objekti i ish-Komitetit është duke u tentuat të bëhet nën arsyetimin për t’ ia lëshuar vendin Presidencës së Kosovës.
Mirëpo, ky vendim ishte pezulluar përkohësisht para disa ditësh pas kërkesës zyrtare të parashtruar nga Këshilli Organizativ i Protestuesve të MKRS-së.
Ndryshe, zyrtar e Ministrisë së Bujqësisë janë zhvendosur tërësisht nga objekti i Ministrisë së Kulturës dhe të njëjtat janë vendosur tek ish-Pallati i Rilindjes.