Përplasjet Qeveri-SBASHK, 1 shtatori i gjen nxënësit në mjegullnajë

08:56 | 01 Shtator 2022

1 shtatori edhe një herë i ka gjetur fëmijët në dilemë të madhe – të shkojnë, apo të mos shkojnë në shkollë

.

Kjo pasi Sindikata e Bashkuar, Arsimit dhe Shkencës dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka hyrë në ditën e 7-të të grevës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Por të gjithë punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, janë paralajmëruar se nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria.

Përkundër kësaj ata kanë thënë se do ta vazhdojnë grevën. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, cilësoi ndaljen e pagave për grevistët si shantazh, pro tha se nuk do të ndalen derisa të arrijnë në mirëkuptim nga ana e Qeverisë për kërkesat e tyre.

Jasharaj u bëri thirrje prindërve që mos t’i dërgojnë sot fëmijët në shkollë, e kjo Jasharaj tha se duhet të bëhet edhe për siç u shpreh ai “sigurinë e nxënësve”.

“Fatkeqësisht duhet t’i drejtohem prindërve dhe nxënësve për mirëkuptim, s’ishte vullnet i yni, por s’kishim zgjidhje tjetër. Për hir të sigurisë së nxënësve, angazhimet e tyre t’i orientojnë nga qeveria për dialog dhe lus prindërit që të mos enden rrugëve të shkojnë në shkollë kot. Greva do të zgjasë më pak nëse qeveria ulet dhe fillon realizimin e kërkesave tona”.

“Nesër është dita e 6 apo e 7 e grevës, greva do të vazhdojë derisa qeveria nuk i realizon kërkesat tona. Ka ende kohë të ulet me sindikatat, i lusim prindërit që ata të provojnë të gjejnë mundësi që të na ofrojnë dialog të sinqertë me qeverinë. Për hir të sigurisë së nxënësve, nxënësit të mbesin në shtëpi. Në qoftë se kemi informacion nga shkollat se dikush do të tentojë të ushtrojë presion ndaj grevistëve, do ta informojnë policinë sepse grevistët janë në vendet e tyre të punës, në shtëpinë e tyre, dhe me ligj janë të mbrojtur”, tha kryesindikalisti të mërkurën.

Në anën tjetër, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u bëri thirrje mësimdhënësve që të ndalin grevën duke thënë se të gjitha kërkesat e tyre janë përfshirë në Ligjin për Paga.

Ajo, në një konferencë për media, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme në të gjitha shkollat për të filluar mësimin të gjithë nxënësit.

Sipas Nagavcit, greva e nisur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk po mbahet në pothuajse mbi 90 për qind të institucioneve publike, duke u bërë thirrje mësimdhënësve ta konsultojnë legjislacionin në fuqi me grevat dhe të mos bien pre e presioneve.

Në anën tjetër, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një deklarate në Facebook të mërkurën, kanë kërkuar nga Qeveria dhe Sindikata që të dialogojnë.

Komento: