Përsëri rriten çmimet e derivateve në Kosovë

17:30 | 06 May 2020

Përhapja e koronavirusit kishte bërë që çmimi i naftës të bie në Kosovë.

Me përhapjen e koronavirusit pati edhe rënie deri në nivelin më të ulët të çmimit të naftës, që mbahet mend të ketë ndodhur ndonjëherë. Por, kjo ulje nuk zgjati më shumë se rreth dy muaj. Çmimi i naftës në Kosovë tanimë ka nisur të rritet.

Vozitja e veturës me çmime të lira të derivateve në Kosovë, që zgjati për rreth dy muaj, po merr fund.

Çmimi i “arit të zi” që kishe rënë si kurrë më parë në 80 cent, ka nisur të rritet sërish.

Kryetari i Shoqatë së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka treguar për Agjencinë e Lajmeve Fakte Plus se çmimi i naftës është rritur nga 7 deri në 10 cent.

Madje, ai paralajmëroi se në vazhdimësi do të ketë rritje të këtij çmimi.

Megjithëkëtë, Berjani shtoi se çmimet e naftës në Kosovë janë më të mirat në rajon.

“Vendimi për rritjen e çmimeve nuk është një gjë e mirë, por përderisa ka reduktim të prodhimit, çmimet do të rriten në mënyrë automatike. Edhe pse, mund të themi se qytetarët e republikës së Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet ma të mira në rajon” ka thënë Berjani.

Por, çmimet janë rritur vetëm me shumicë për shkak të prodhimit.

“Çmimet po sillen nga 85 cent për dizell, ndërsa 84 për benzinë. Çmimet me shumicë janë rritur nga 7 deri në 10 cent. Ndërsa me pakicë nuk ka rritje”, deklaroi ai.

Ngritjet e çmimeve kanë ardhur pas vendimit të Organizatës Prodhuese të Naftës.

“Çmimin nuk e përcaktojmë ne. Pas vendimit të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës për reduktimin e prodhimit, ky çmim është ngritur. Por, ne jemi duke u kthyer në normalitet pavarësisht çmimeve, për të cilat nuk kemi mundësi të veprojmë më shumë” ka thënë Berjani.

E Ibrahim Bucaliu, drejtor i kompanisë “HIB Petrol” ka thënë se nuk kanë përkrahje nga Qeveria e Kosovës.

“Fatkeqësisht, e kemi një problem. Qeveria nuk po na ndihmon, jo vetëm neve si biznese por as punëtorët nuk kanë përkrahje”, tha Bucaliu.

Ai u shpreh se rritjet e çmimeve nuk janë në interes të qytetarëve, por presin t’i kthehen normalitetit.

“Rritja e këtij çmimi është enorme në këto tri dittë e fundit. Për 100 dollarë është ngritur çmimi në ton. Çmimi po rritet për çdo ditë. Po presim t’i kthehemi normalitetit, ashtu siç ka qenë para një muaji, po jo sikur para pandemisë. Nuk besoj që do të jetë ndonjë çmim mbi 1 euro, si më herët. Rritja e çmimeve nuk varet nga ne por nga ekonomia globale”.

Pasi që Kosova nuk ka rafineri të vetën, operatorët ekonomikë brenda një viti importojnë rreth 700 milionë litra të këtyre derivateve. Derivatet në Kosovë kryesisht importohen nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria.

Virusi Korona që u shfaq në Kosovë me 13 mars ka bërë që shumë biznese të mbyllen e disa tjera janë obliguar që të punojnë me staf të reduktuar.

Komento: