Përsëri rritet numri i viktimave të vërshimeve në Gjermani

14:06 | 16 July 2021

Rritet përsëri numri i viktimave të vërshimeve në Gjermani.

Ka shkuar në 103 numri i konfirmuar i të vdekurve nga vërshimet në Gjermani në një prej fatkeqësive më të rënda natyrore që e kanë goditur shtetin më të fuqishëm evropian në dekadat e fundit.

Reshjet rekorde të shiut në Evropën Perëndimore bënë që lumenjtë të dilnin nga shtrati dhe digat të stërmbushen me ujë, duke shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, përfshirë shembjen e shtëpive, shkatërrimin e veturave dhe bllokimin e rrugëve.
Gjatë një vizite në njërën prej zonave më të goditura, kryeministri i rajonit Nordrhein-Westfalen, Armin Laschet, tha se moti ekstrem është pasojë e ngrohjes globale dhe se masat për mbrojtjen e klimës duhet të përshpejtohen.

Përpos Gjermanisë, nga vërshimet janë prekur edhe shtetet përreth saj, përfshirë Belgjikën, Holandën, Zvicrën dhe Luksemburgun, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një vizite zyrtare në Uashington, shprehu ngushëllime për të gjithë të prekurit, duke thënë: “Kam frikë se do ta shohim shkallën e plotë të kësaj tragjedie vetëm në ditët e ardhshme”.

Komento: