Personat që dyshojnë se janë prekur nga koronavirusi ta thërrasin këtë numër

10:00 | 13 Mars 2020

Ata që dyshojnë se janë prekur nga koronavirusi fillimisht të drejtohen në QMF.

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, ka treguar masat preventive që i ka ndërmarrë Komuna ndaj përhapjes së koronavirusit.

Në rubrikën Sytë 7 në Klan Kosova, ai i ka lutur qytetarët që dyshojnë se janë prekur nga kjo pandemi që fillimisht t’i vizitojnë Qendrat e Mjekësisë Familjare para se të shkojnë në Klinikën Infektive.

“Masat preventive që i ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës – ju e dini se nga e hëna është marrë vendimi për t’u mbyllur katër qendrat për të moshuarit – qëllimi i mbylljes ka qenë se kjo është grupmosha më e rrezikuar”.

“Pardje është marrë vendimit tjetër në nivel të komunës ku në përputhje me vendimin e Qeverisë janë mbyllur të gjitha shkollat në Komunën e Prishtinës. Po ashtu është marrë vendimi që të gjitha tubimet dhe aktivitetet kulturore si dhe lejet e lëshuara deri tani të pezullohen”.

“Të gjithë punëtorët e Komunës, posaçërisht ata që janë në kontakt me qytetarët janë të pajisur me maska, dorëza dhe dezinfektues ku që nga dje janë duke i përdorur”.

“Hapësirat e objekteve të Komunës së Prishtinës dezinfektohen gjatë vikendit për shkak se gjatë këtyre ditëve nuk do të ketë shërbime për qytetarët”.

Nushi ka theksuar se të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjarë janë të përgatitura për çfarëdolloj intervenimi që mund të ketë nevojë.

“I lus qytetarët që të mos iu drejtohet drejtpërsëdrejti Klinikës Infektive, por fillimisht të drejtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare. I lus që të lajmërohen fillimisht në numrin e urgjencave 194. Ky është numri i urgjencave ku qytetarët mund të këshillohen se a duhet të drejtohen në QMF apo QKUK”.

Komento: