Personi që humbi jetën në aksident kishte pasur sulm në zemër, zbulohet identiteti i tij

19:14 | 08 March 2019

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në Podujevë.

Një person ka humbur si pasojë e një aksidenti që ndodhi pasditen e sotme në Podujevë.

Lajmin për aksidentin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka bërë të ditur se në aksidentin e sotëm në Podujevë kanë qenë të përfshira dy automjete, njëra nga të cilat ishte e parkuar.

“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një veturë e tipit Golf 6 ,ngjyrë hiri e cila ka qenë në lëvizje dhe një kombi i cili ka qenë i parkuar”ka thënë Ahmeti.

Më pas, u bë e ditur se trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

Por, burime të Periskopit bëjnë të ditur se viktima që po voziste veturën Golf 6 kishte pësuar sulm në zemër derisa po voziste.

Si pasojë, ai kishte humbur kontrollin mbi veturë dhe kishte goditur kombin, i cili kishte qenë i parkuar në trotuar.

Të njëjtat burime, bën të ditur se viktima ishte dërguar në Emergjencë nga disa qytetarë, por megjithatë ai nuk kishte arritur të mbijetonte.

Periskopi ka mësuar se viktima e aksidentit të sotëm në Podujevë është, Naim Veseli nga fshati Dumnicë i kësaj komune.

Po ashtu, periskopi mëson se viktima kishte qenë i martuar dhe prind i dy fëmijëve, ndërsa kishte punuar si shofer autobusi në një kompani.

Ndërkohë, në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, miqtë të shumtë të tij janë shokuar nga lajmi për ndarjen e tij nga jeta dhe kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Komento: