
Përurohet Parku për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, pritet të investohen deri në 12 milionë euro.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, sot inauguroi Parkun për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, duke e quajtur hap të madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, duke u orientuar në teknologjinë informative.
Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadori gjerman Christian Heldt, nga ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari si dhe zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu.
Kryeministri në detyrë u shpreh se parku paraqet një projekt qeveritar të rëndësisë së madhe dhe parashikohet që Qeveria e Kosovës të kontribuoj me marrëveshjen e bashkëfinancimit në shumë prej 11.9 milionë euro që është në negocim e sipër midis dy ekipeve.
“Bashkëpunimi Kosovë-Gjermani ka histori të gjatë që buron që nga lidhjet ndërmjet popujve tanë deri te mbështetja gjermane për çlirimin e Kosovës. Kontributi i pasluftës në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës është vlera më e lartë që ka mundësuar që një kamp i dikurshëm ushtarak të shndërrohet në nyje ndërlidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai tha se po hedhet një hap i madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, duke u orientuar në teknologjinë informative.
“Kemi Prizrenin me kulturë dhe traditë të lashtë dhe po u ofrojmë perspektivë të rinjve që të zhvillojnë aftësitë dhe talentin e tyre, duke u ndërlidhur përmes këtij parku me tregun dinamik botëror të punës”, tha kryeministri në detyrë, raporton telegrafi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë janë të përkushtuar që në një plan afatmesëm dhe afatgjatë të mundësojnë një gjë të tillë.
Kurti tha se në frymën e bashkëpunimin me shtetin gjerman kanë besim të plotë në menaxhimin e hapësirës në Prizren nga GIZ-i, duke besuar se do të kontribuojë në ndërtimin e një parku ndryshe nga ato që kanë qenë viteve të fundit në Kosovë.
“Në këtë park shohim lidhjen e arsimimit cilësor me ekonominë zhvillimore, lidhjen e edukimit bashkëkohor me tregun e punës”, tha ndër të tjera Kurti, duke falënderuar shtetin gjerman për mbështetjen e Kosovës.
Ndryshe, ditë më parë, qeveria mori vendim që sipërfaqja prej 40 hektarësh, ku dikur ishin kazermat e KFOR-it gjerman, tani t’i kalojë në shfrytëzim shoqatës “ITP Prizren”, e cila do ta zhvillojë Parkun gjermano-kosovar të Trajnimit dhe Inovacionit.
Parku do të punojë për zhvillimin ekonomik, ndërmarrësin, arsimin dhe hulumtimin.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet shkencave të aplikuara, teknologjisë, bujqësisë, mjedisit, krijimtarisë e kulturës. Shoqatën “ITP Prizren” do ta bashkëdrejtojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të ambasadës gjermane.