Përurohet renovimi i soliterave të lagjes Ulpiana, MCC thotë se do të vazhdojë bashkëpunimi me Kosovën

11:36 | 18 October 2022

Në prezencën e shefes ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama është bërë përurimi i renovimit të soliterave në lagjen e Ulpianës.

Albright tha se partneriteti i MCC-së me Kosovën ka filluar në vitin 2017 dhe do të vazhdoj edhe më tutje.

“Partneriteti i MCC-së me Kosovën ka filluar në vitin 2017, kur kemi bërë nënshkrimin e 49 milionë dollarëve për Programin Threshold. Në muajin korrik, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës kanë nënshkruar një kontratë të re prej 202 milionë dollarëve për Programin Kompakt, që do të siguroj investim më të madh në vend”, tha Albright.

Ambasadori Hovenier theksoi se SHBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në kapërcimin e krizës energjetike.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke e ndihmuar që të zvogëloj këtë varësi që e ka na thëngjill, në afat të shkurtër dhe të mesëm, dhe kjo është njëra nga arsyet dhe mënyra e vetme se si mund të ndihmohet Kosova. Pra, na vjen mirë që jemi duke ndihmuar për ta rritur eficiencen”, theksoi Hovenier.

Ndërsa, ministrja Rizvanolli u shpreh se SHBA-ja ka vazhduar të jetë partner kyç në sektorin e energjisë.

“SHBA-ja ka vazhduar të jetë partner kyç në sektorin e energjisë, duke na ndihmuar në tranzicionin tonë energjetik, në burimet e ripërtishme mirëpo tani edhe në eficiencë. Mësimet që janë nxjerrë nga këto investime janë tejet të rëndësishme nga investimet që do të vijnë nga Qeveria e Kosovës”, u shpreh Rizvanolli.

Për kryetarin Rama ky investim është një transformim për kryeqytetin.

“Këto ndërtesa kanë qenë brendi i kryeqytetit, e janë parë nga pikat e ndryshme dhe për fat të keq për një periudhë të madhe kanë qenë ashtu të rrënuara, të shëmtuara dhe të pasigurta. Ky investim është një transformim për kryeqytetin”, përfundoi Rama.

MCC-ja deri më tani ka ndarë 11 milionë euro për kursimin e energjisë ku 1 mijë shtëpi janë izoluar tërësisht dhe mbi 20 banesa në shtatë qytete të Kosovës.

Komento: