Përurohet shtatorja e Anton Çettës: Ai ishte institucion i urtësisë kombëtare

13:40 | 28 November 2022

Anton Çetta ishte institucion i urtësisë kombëtare, u tha në përurimin e shtatores pranë oborrit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Plaku i urtë” siç njihej nga populli, ka pajtuar shumë familje të hasmuara në shumë vise të Kosovës. Profesor Çetta kishte pajtuar rreth 1800 gjaqe dhe kishte zgjidhur rreth 30 mijë ngatërrime.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se Anton Çetta ishte i veçantë dhe kishte bërë punë të palodhshme në shumë sfera.

“Kujtimi i imi i parë për profesor Anton Çettën nuk lidhej as me ndonjë vepër të tij shkrimore, por me një detaj shumë të vogël, e që mua më ngjallte shumë kërshëri. Profesor Çetta, në libra mbiemrin e shkruante me dy ‘t”, diçka që mua më ngjante me mbiemrat e kulturave perëndimore, sepse ishte diçka krejt e padëshmuar tjetër kund. Dhe kjo më qonte mua në parafytyrimin se ky njeri duhej të ishte shumë i veçantë”, tha Rama.

Më tej, i pari i kryeqytetit u shpreh se shtatorja e përuruar në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të skulptorit Agon Qosa.

“Profesor Çetta themeloi dhe udhëhoqi komitetin e pajtimit të gjaqeve dhe e çrrënjosi me këtë traditën kanunore, shekullore të vëlla-vrasjes, duke pajtuar rreth 1800 gjaqe, rreth 30 mijë ngatërrime. Tubimi i përmasave epike në Verrat e Llukës ku rreth 500 mijë shqiptarë bashkohen në fushën e pajtimit, konsiderohet si tubimi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Ende emocionohemi kur shohim ato pamje, ku mes popullit tonë rilindi një ndjenjë e re, rilindi ndjenja e faljes e vëllazërimit, e bashkimit, falë punës të të shenjtit tonë, të profesor Çettës. Jemi njerëz me shumë fat që Kosova jonë e vogël lindi një njeri kaq të madh, e që sot këtij njeriu të madh po ia njohim madhështinë”, ka thënë Rama.

Profesori Jahja Drançolli tha se kjo shtatore ka një bazë të gjerë intelektuale të bazuar në bindjen njerëzore se vepra e Çettës bartë vlera që nderojnë çdo shqiptar.

“Tradita e faljes së gjakut u hoq nga populli dhe u kthye në një valë të madhe kundër fenomenit të gjakmarrjes. Masivizimi i krijuar e bën këtë proces të faleshin edhe gjaqet që dukeshin të pafalshme deri atëherë. Për këtë masivitet flet edhe fakti që në vitin 1990 në tubimin, për herë të parë në historinë shqiptare u mblodhën në një vend mbi 500 mijë njerëz nga distancat mund të gjykohet se kjo ngjarje mund të inkuadrohet në radhën e kuvendeve më të njohura të historisë sonë, siç ishte Kuvendi i Lezhës dhe ai i Prizrenit”, ka thënë Drançolli.

Harmonia fetare, ndershmëria dhe roli i femrës shqiptare ishin tri shtyllat e lëvizjes, tha bashkëpunëtori në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, Riza Krasniqi. Ai tha se meritë e pajtimtarit ishte se në odën e burrave po merrnin pjesë edhe gratë.

“Kishte një urtësi për çdo rast dhe jo rastësisht është thënë që profesor Anton Çetta ishte institucion i urtësisë kombëtare… Ishim në një familje dhe ishte një rast shumë i vështirë, çdo rast ishte i vështirë. Dhe i zoti i shtëpisë na priti mjaft ftohtë, tha ‘burra e di pse keni ardhur, por ju kisha treguar që gjyshin ma kanë vrarë pas luftës për çështje kombëtare. Baba ka vuajtur 15 vjet burg edhe unë e vëllai e kemi provuar burgun. Nuk e kemi merituar që babën të ma vrisnin shqiptarët. Prandaj, kërkoj falje prej jush këtë falje nuk mund ta bëjë’. Edhe u krijua një qetësi në odë të burrave, mos të them qetësi varri. Në raste të tilla kur të gjithë ishin pa fjalë, në mënyrë të pavetëdijshme të gjithë e kthenin kokën ka profesori edhe prisnim që ai të fliste diçka. Profesori e mori fjalën ngadalë dhe tha ‘ju kuptoj’ zotëri të shtëpisë, mirëpo kjo odë në të cilën jemi i ka kufijtë e vet, dihet ku fillon dhe ku përfundon, Kosova i ka kufijtë e vet. Por, ekziston një gjë që nuk ka kufi-obligimet ndaj kombit nuk kanë kufi’. Dhe edhe ju duhet të ngriheni në këmbë dhe ta falni gjakun”, ka treguar Krasniqi.

Në përurimin e kësaj shtatore kanë marrë pjesë familjarë Anton Çettës, të ish-presidentit Ibrahim Rugova, ish-presidentja Atifete Jahjaga, ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ministrja Rozeta Hajdari, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja dhe shumë qytetarë.

Komento: